
Analisti Sami Neza duke folur në MCN Live tha që ministrja e AI-së do të marrë vendime në bazë të kritereve që do të vendosin zyrtarët në lidhje me tenderat, duke përzgjedhur klientët që dëshiron qeveria. Sipas tij është e paligjshme një ministre që operon me inteligjencë artificiale, dhe kjo duhet të ishte konstatuar nga Presidenti Begaj.
“Për mua emrat e kabinetit të qeverisë s’përbëjnë rëndësi dhe s’kanë impakt te vendimmarrja e qeverisë, reformat, apo mënyra si do zhvillohen reformat dhe si do arrihen objektivat. Ka lindur një problem i ri, ministri AI, apo çfarëdo funksioni me AI në administratë, s’ka një kuadër ligjor që justifikon një përzgjedhje të tillë. Është krejt anormale që Presidenti s’e konstatoi një gjë të tillë. Presidenti duhet të kishte reaguar, nga këndvështrimi ligjor. Në pamje të parë duket se Rama e ka bërë për propagandë. S’i heq këtë mundësi, por kjo është vetëm hapi i parë. Problemi është sa lehtë kryeministri ia del të marrë vendime, që janë tërësisht joligjore. Për shumëkënd që s’ka njohuri për AI-në, deklaratat e kryeministrit që Diella s’ka miq, ky është mashtrim, gënjeshtër, spekulim. Inteligjenca artificiale bazohet në machine learning. Ajo përpunon informacion që është një material që i serviret. Ajo do bazojë mbi tenderat mbi metodologjinë, mbi thirrjen. Nëse një zyrtar i administratës vendos një kriter që mundëson përzgjedhjen e disa klientëve që i ka parasysh kur shkruhet kjo thirrje, është e sigurte, që çfarëdo tools-i i AI të marrë vendimin që dëshiron ai që ndërton paketën e informacionit. Miqtë e AI-të janë të shumtë, janë të gjithë ata që paketojnë informacionin që përdor AI-ja për të marrë vendime”.
Po ashtu ai vuri në dukje se Diella nuk mund të bëjë vlerësimin e një akti normativ.
Duke folur mbi komisionet parlamentare, Neza tha:
“Z.Xhafaj vazhdon të ruajë pozicionin e tij në lidhje me komisionin e posaçëm, që u shoqërua me shumë me debate dhe diskutime, pasi nuk dihej pushteti i këtij komisioni me institucionet e pavarura. Komisioni u bojkotua nga institucionet e drejtësisë. Z.Xhafaj do ta ruajë këtë komision me një emër tjetër. Do jetë e nevojshme për një kuadër ligjor që do justifikojë kontrollin e institucioneve të pavarura. Perceptimi i parë që prodhohet, duke u nisur nga emri, është se në një rast të caktuar, kur qeverisë t’i interesojë komisioni mund të përdoret si shantazh dhe presion ndaj institucioneve të drejtësisë, që lidhen direkt me Parlamentin, financohen nga Parlamenti dhe miratohen në Parlament.
Ka një problem, një komision që ka qenë i integrimit, që drejtohej nga opozita, s’funksionon më, është kamufluar me emra të tjerë, duke ia hequr opozitës, duke i hequr një mundësi për të raportuar problematikat e demokracisë dhe qeverisjes në Shqipëri. Komisioni i Ligjeve është më i rëndësishmi, që drejtohet nga ish-ministri Manja”.



