
I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se presidenti serb Vuçiç e siguroi se do të ndikojë që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në Veri të Kosovës.
"Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth këtyre ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen", tha Escobar gjatë një konference për gazetarët në Beograd.
"Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte", shtoi ai.
Zyrtari i lartë amerikan tha se presidenti i Serbisë e ka siguruar se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.
"Sfida më e madhe për Serbinë është t'i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serebinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur", u shpreh Escobar.



