Banorët e katër zonave të Tiranës e kanë zhvendosur protestën e tyre përpara godinës së Kryeministrisë, mesditën e kësaj të diele. Ata kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.
Një prej banorëve të Paskuqanit thotë për MCN se ata prej muajsh kërkojnë sqarim nga autoritetet për fatin e pronave të tyre. Banorja thekson se nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por kërkojnë një rrugëzgjidhje nga institucionet, kryeministri sepse sipas saj duket sikur nuk ekzistojnë fare për ta.
Nuk na kanë sjellë asgjë, asnjë njoftim, ndërsa në tokat boshe kanë nisur punimet dhe nga këto punime kemi dhe tronditje të shtëpive. Shtëpinë e kemi në proces legalizimi dhe prej 2009 jemi në pritje. Letra nuk na ka ardhur akoma, kanë ardhur vetëm inxhinierët që kanë bërë piketimet. Për këtë pjesë nuk jemi informuar vetëm se kemi parë që kanë nisur punimet. Nuk dua të më prishet shtëpia fare sepse kemi dhe kërkoj një rrugëzgjidhje nga institucionet mos të bëjnë sikur ne nuk ekzistojmë, por të na sqarojnë dhe udhëzojnë se çfarë do bëhet me ne. Ka shumë si puna ime. Nuk ka ardhur asnjë akt marrëveshje vetëm na kanë vendosur një kryq para shtëpisë dhe asgjë më tepër, nuk e dimë nëse do na japin para, dëmshpërblim, ndonjë vend ku do rrimë. Të merren masa.



