
Robert Përpepaj, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e 17-vjeçares Griselda Gjikola, ka apeluar vendimin e dënimit në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Avokati i të dënuarit është shprehur se, Robert Përpepaj e pranon se ka kryher vrasjen por mohon që mes tij dhe Griselda Gjikolës nuk ka patur njohje dhe as edhe një shkak për ta kryer vrasjen. Mbrojtja thekson në kërkesën për apelim të masës së dënimit se në dokumentet e prokurorisë është e dokumentuar fakti që Përpepaj dhe Ronald Muzhaqi për shkak të një konflikti që kanë pasur më herët, kanë dalë për të rrahur Erion Bengën dhe Sajmir Hixhën.
Referuar dosjes hetimore rezulton se Robert Përpepaj kishte si qëllim që të mbante nën kanosje dy të rinjtë ndërsa Muzhaqi do t’i godiste ata me levë hekuri. Por në momentin që drejtuesi i mjetit Erion Bengaj ka parë Përpepajn me armën TT në dorë është trembur dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi.
Avokati thekson se Përpepaj e ka shkrepur armën pa dashje dhe për fat të keq dy plumbat i morën jetën 17-vjeçares Griselda Gjikola. Robert Përpepaj që vazhdon të jetë në arrati ka kërkuar në Gjykatën e Apelit që të ndryshohet cilësimi i veprës penale nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje nga pakujdesia”. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 28 Dhjetorit të 2018 në zonën e Laprakës në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar me 23 vite burg edhe bashkëpuntorin e Përpepajt, Ronald Muzhaqin. Në këtë ngjarje u plagos edhe drejtuesi i makinës Erion Benga.



