
Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, e sheh fatin e ekonomisë shqiptare të lidhur ngushtë me politikën. Në MCN Economy, Shano tha se, edhe pse e vogël dhe e pazhvilluar, ekonomia shqiptare i ka potencialet të bëjë progres.
Ekonomia jonë është e pazhvilluar. Kemi institucione të dobëta. Të gjitha politikat ekonomike të ndërmarra kanë dëmtuar stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik. Unë u druhem parashikimeve. Gjithçka mund të ndodhë me ekonominë shqiptare, sepse është e vogël.
Ne e kemi të lehtë të shpërthejmë si ekonomi me pak mundim. Kemi mundësi dhe hapësira që të rregullojmë. Shqipëria është vend i bekuar. Shqiptarët trupëzohen te politika më shumë se te ekonomia. Jam koshient për sfidat që kemi përpara, më shumë se ekonomike, janë politike dhe kulturore.
Nuk mund ta neglizhoj faktorin politik përjashtues në Shqipëri. Ne kemi një politikë jokonkurruese. Nuk mund të kemi një ekonomi konkurruese, do të kemi një ekonomi klienteliste, njësoj si politika.
Ne kemi ekonomi që flasim për turizëm të rëndësishëm. Sa i rëndësishëm është kur punon vetëm 2 muaj në vit. Ne kemi bujqësi që ka vetëm 20% të GDP.
Një nga problemet që sfidon ekonominë shqiptare sipas Shanajt është emigrimi i shqiptarëve dhe rënia e lindshmërisë.
Ekonomia jonë është e vogël dhe një ekonomi e vogël ka të këqijat e veta. Një ekonomi e vogël ka edhe hapësirën dhe mundësinë të zhvillohet me shpejtësi. Ne kemi një problem që lidhet me rënien e fertilitetit.
Largimi i shqiptarëve ka kosto në ekonomi. Largohen konsumatorë nga një ekonomi e bazuar në një model konsumi dhe jo prodhimi. I volit politikanëve të këtij vendi, sepse këta që ikin do të sjellin remitanca, që do të thotë ata që mbeten këto do të gjallojnë, por jo të zhvillohen. Largimi nuk ka të bëjë me njerëz të paarsimuar, Shqipërisë po i ikën lokomotiva e ekonomisë.
Shano e vuri theksin te politikat arsimore në përputhje me kërkesat e kohës.
Shqipëria ka shumë për të bërë nga pikëpamja e kapitalit human. Nëse do të duam që shpenzimi ynë publik të ishte eficient, një llokmë e madhe e buxhetit të shtetit do të duhej të shkonte për arsim cilësor. Është një temë e gjerë që kondensohet në një numër të vogël veprimesh të cilat nuk i kryejmë sepse e kemi më kollaj të ikim nga Shqipëria sesa të bëjmë Shqipërisë.



