
Shoqata Rajonale e Tiranës, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka vënë në dijeni FIFA-n, për presionet e bëra ndaj anëtarëve.
Në letrën e dërguar nga Shoqata e Rajonale e Tiranës, presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, thuhet se Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, Erion Veliaj, kanë kërcënuar anëtarët. Gjithashtu në shkresë lexohet se Krytarit të Shoqatës, Krenar Alimehmeti, i kanë ofruar 100 mijë euro për të hequr dorë nga kandidatura.
Shoqata Rajonale e Tiranës, ka kërkuar ndihmë nga institucioni më i lartë i futbollit në botë, në lidhje me ndërhyrjet që po bëhen para zgjedhjeve për presidentin e FSHF.
SHKRESA E PLOTË:
Drejtuar Zotit Gianni Infantino, president i FIFA-s dhe Fatma Samoura, Sekretare e Përgjithshme e FIFA-s.
Siç ju mund të jeni në dijeni, në Shqipëri po zhvillohen zgjedhje në nivelin e Federatës Rajonale të Futbollit për postin e kryetarit dhe delegatëve në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit. Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë e sheh të nevojshme t’ju informojë se procesi i zgjedhjeve ku po marrim pjesë, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme në FSHF, është nën një kërcënim serioz për shkak të ndërhyrjes agresive të politikës dhe segmenteve të krimit.
U bënë disa javë që anëtarët tanë janë detyruar të marrin pjesë në mbledhje me kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliajn dhe drejtorin e sporteve në Bashki Gjergji Muzakën, duke u diktuar atyre kandidatin e preferuar, Zotin Prodani, përndryshe do të përballen me masa si humbja e punës dhe me pasoja të rënda nëse nuk bëhet “zgjedhja e duhur”.
Me afrimin e zgjedhjeve në Tiranë, që do të mbahen më 24 janar të vitit 2022, presioni ka ardhur në rritje duke sjellë nga ambientet e Bashkisë për takime individuale anëtarë të Shoqatës Rajonale Tiranë Sulejman Adili, Endrit Agushi, Eugen Kruja, Xhek Alushi, Mirel Harizaj, Akil Jakupi dhe Indrit Myrtja. Kërkesa e kryetarit Veliaj është e drejtpërdrejtë: bëni zgjedhjen e duhur për të shmangur probleme në të ardhmen. E ndjejmë shumë që është shumë e rëndësishme t’ju informojmë se disa ditë më parë, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arjan Cuka, i cili njihet si një biznesmen në fushën e ndërtimit, ka kërkuar në një takim me kandidatin për kryetar të Shoqatës Rajonale Tiranë, Krenar Alimehmeti, duke i ofruar 100 mijë euro për të tërhequr kandidaturën e tij.
Statuti i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, njësoj si në FSHF, FIFA dhe UEFA, në një formë të qartë shmang ndërhyrjet e politikës në vendimmarrje dhe procesin e zgjedhjeve në botën e futbollit. Demokracia dhe liria e të zgjedhurit e të menduarit, ndodhën nën rrezik serioz nga kërcënimet dhe ofertat financiare të korruptuara nga kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj. Në rrethanë të tilla, ne kërkojmë nga ju mbështetje të pakushtëzuar si autoritetet më të larta që qeverisin futbollin botëror për të ndërmarrë çfarëdo hapi për parandalimin e veprave të tilla kriminale. Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë do vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo përpjekje kërcënuese ndaj anëtarëve tanë nga kryetari Veliaj dhe individë me lidhje të ngushta me të. Sinqerisht, juaji, Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë Sulejman Mema dhe Sekretari i Përgjithshëm Ardian Haci



