
Deputetja e partisë Demokratike, Sorina Koti në një lidhje skype me studion e lajmeve në MCN Live i ka cilësuar primaret në PD si një risi në politikën shqiptare. Ajo tha se pavarësisht disa problematikave, PD mori guximin për të bërë diçka ndryshe.
Unë si pjesë e PD dhe kryesisë e them me bindje se ka qenë një proces jo nga më të mirët që kemi bërë, por të paktën PD mori guximin për të bërë diçka ndryshe duke ofruar një risi në politikën shqiptare. Asnjë forcë se ka marrë guximin të pranojë garat dhe problemet e brendshme apo parimin një anëtar një votë që vendosi për njerëzit që do i përfaqësojnë ata në nivel lokal dhe qendror. Përtej problematikave që ka pasur si herë e parë, ajo që ne bëmë brenda partisë sonë patjetër që zgjedhjet e tjera do jenë dhe më të mira, dua ta quaj me plotë gojë që ka qenë një risi në politikën shqiptare.
Më tej duke komentuar për problemin e listave ajo tha se nuk kemi të drejtë të heqim emra nga lista, ndërsa sqaroi se numri i ulët i votuesve erdhi për shkak të emigracionit.
Dua të them se nuk është vetëm te partia jonë problemi i listave. E dyta ne si forcë opozitare në mënyrë absolute nuk mund të heqim dorë nga anëtarët që janë pjesë e listave pavarësisht se ata janë në emigrim apo jo. Nuk kemi asnjë të drejtë për të hequr asnjë emër, sepse janë të gjithë ata të regjistruar dhe kanë një teser partie dhe e bëjnë jetën politike në momentin që duan ta bëjnë. Numri i ulët i votuesve ka ardhur si pasojë e faktit se ata janë në emigracion. Deri diku ja kemi arritur të marrim elektorat gri sepse kjo u pa nga votuesit, por mbetet prioritet gjithmonë Durrësi, Elbasani, Tirana, Shkodrën që e kemi bastion që s’duhet ta humbasim, por kjo do i lihet 3 muajve në vijim. Tashmë është detyra e kandidatëve të shkojnë dhe të takojnë simpatizantët. Kemi vite që nuk jemi pjesë e pushtetit vendor dhe mendoj se do jetë një garë e fortë. Është një betejë shumë e fortë.
Deputetja Koti u ndal dhe te gara e primareve për Tiranën për të cilën u shpreh se nuk ka pasur asnjë pazar për zgjedhjen e kandidatit dhe se shpreson që në zgjedhje të shkojnë me një kandidat të përbashkët.
Nuk besoj se kemi bërë pazare për të shitur Tiranën dhe nuk besoj se as Berisha dhe as Meta nuk kanë dashur të zgjedhin një kandidat që ndoshta do ishte humbës. Kandidatët e kanë treguar me votë dhe Belindi tashmë është kandidat. Kjo ndoshta është një mesazh që duhet dhënë që PD nuk mund të shkojë më e ndarë dhe grupime. Shpresoj që të paktën në këto 2-3 muaj që kemi para të gjejmë një kompromis. Shpresojmë të shkojmë në zgjedhje me kandidat të përbashkët.



