
Pas gati dy vitesh hetim, prokurori i posaçëm i SPAK, Elvin Goga, ka pushuar çështjen në ngarkim të ish-kreut të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri.
Rreth 9 muaj më parë, Myzyri u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Lidhur me këtë vendim, eksperti i ekonomisë Pano Soko, në një analizë për edicionin e lajmeve në MCN TV, e cilësoi atë si të çuditshëm, duke theksuar se Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka qenë një nga institucionet në qendër të problematikave të korrupsionit.
Është e çuditshme. Ideja është që ne presim t’i kapim, jo t’i lirojmë ata që kemi.
Ky nivel korrupsioni, në këto përmasa, duhet të ketë përgjegjës.
Kur sheh që drejtuesit e institucioneve, që duhet të ishin përgjegjës, përmes teknikaliteteve juridike arrijnë të shpëtojnë me pushim hetimesh, kjo nuk është një situatë që ngjall shpresë për drejtësi në këtë vend.
Soko shtoi se, pavarësisht mungesës së njohjes së plotë të detajeve të dosjes, perceptimi publik dhe përvoja me pasojat e korrupsionit në Shqipëri e bëjnë këtë vendim të duket i diskutueshëm.
Kjo është një ngjarje që nuk të lë një shije të mirë, sidomos kur dihet niveli i korrupsionit në vend.
KPP ka qenë një institucion në qendër të ‘ciklonit’ të korrupsionit, së bashku me institucionet e linjës që e përbëjnë këtë fenomen.
Natyrisht që ky vendim, dhe kjo ngjarje nuk të lë një shije te mirë kur dihet se niveli i korrupsionit në këtë vend të lë shije të keqe.



