Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit, thotë se buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm për sektorin e bujqësisë është më i madhi ndonjëherë, por i pamjaftueshëm. Në studion e MCN Economy, Rrapaj tha se në bujqësi duhet investuar, sidomos në situatën që ka krijuar në Europë konflikti në Ukrainë.
IPARD 2 kishte 94 miliardë euro. Kërkesa e sektorit privat është 149 miliardë euro. Kjo tregon sa potencial kemi dhe sa duhet mbështetur ky sektor. Duke pasur parasysh se sektori ta kthen investimin brenda pak muajsh, është domosdoshmëri që paratë të hidhen në këtë sektor. Bujqësia dhe fusha e ekonomisë së ushqimit duhet të mbështetet në këtë periudhë.
Rrapaj tha më tej se çështja e pazgjidhur e pronësisë së tokës ka penguar investimet.
Pronësia e tokës, gangrenë prej vitesh. Një nga arsyet që nuk po zhvillohet tregu i tokës është mosformalizimi. 7501 e dha pasojën. Parcelat janë tashmë të ndara me të gjithë pjesëtarët e familjes. Nëse do të ishte vepruar me projektin e regjistrimit të tokave, ky proces do të kishte përfunduar. Nuk përfundon sepse kështu iu leverdis disave. Të regjistrosh tokën është një çështje teknike. Regjistrimi duhej të kishte përfunduar, në radhë të parë për investimet, në radhë të dytë për konfliktet.



