Publikimi i të dhënave që dyshohet se përmbajnë numrat e telefonit të punonjësve dhe agjentëve të Shërbimit Informativ të Shtetit ka ngritur shqetësime të forta për sigurinë e tyre dhe për mbrojtjen e informacionit sensitiv të një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend.
Eksperti i IT-së, Besmir Semana, për MCN Live, e konsideroi situatën veçanërisht shqetësuese, duke argumentuar se publikimi i numrave mund të krijojë mundësi për identifikimin e punonjësve të SHISH përmes kryqëzimit të të dhënave publike.
Është vërtet për të ardhur keq dalja e numrave të punonjësve të SHISH, sepse kemi vendosur jetën e tyre në rrezik. Në vitin 2022 ndodhi hakerimi dhe kur ngritëm zërin, u deklarua fillimisht se ishin dy raste, pastaj u bënë pesë e më pas nuk pati më deklarata. Ne atëherë thamë se kjo mund të jetë vrastare dhe ja ku jemi pas katër vitesh. Po flasim për një faturë të Vodafone, dhe do të doja shumë që të ishte e pavërtetë, por bëhet fjalë për mbi 700 numra telefoni të regjistruar në emër të SHISH si institucion.
Sipas ekspertit, rreziku shtohet edhe më tej për shkak të faktit se një pjesë e konsiderueshme e të dhënave personale në Shqipëri mund të gjenden në burime publike dhe, përmes kryqëzimit të tyre, mund të arrihet identifikimi i personave që fshihen pas numrave të publikuar.
Duke qenë se në Shqipëri shumica e të dhënave personale janë publike dhe duke u kryqëzuar me këto numra telefoni, një pjesë e madhe e këtyre agjentëve mund të identifikohen. Një numër të caktuar e merrni nga lista e Vodafone, e kërkoni te lista e pagave dhe mund t’ju dalë emri, mbiemri dhe vendi ku kanë punuar në atë vit. Mendoni sikur gjatë atyre viteve ka ndodhur një arrestim dhe i dyshuari i parë është pikërisht një prej këtyre personave. Kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha për shtetin shqiptar, sepse zinxhiri i këtij institucioni është cenuar dhe për këtë arsye do të duhet të ndërtohet një tjetër zinxhir sigurie. Kur flasim për SHISH, flasim për një nga profesionet më të nderuara, sepse siguria që kemi në Tiranë është edhe meritë e tyre. Nuk kemi akte terroriste dhe kjo lidhet edhe me punën e këtij institucioni. SHISH është si CIA amerikane dhe me këto të dhëna po rrezikohet jo vetëm puna e këtyre njerëzve, por edhe jeta e tyre. Mendoj që ky hetim tashmë duhet t’i kalojë SPAK-ut, sepse me publikimet e fundit është cenuar një institucion i rëndësisë së veçantë. Duhet një hetim më i thelluar për të kuptuar se nga kanë dalë këto të dhëna, si janë siguruar dhe kush mban përgjegjësi për këtë situatë.



