Ursula von der Leyen, presidetja e Komisionit Europian, ka deklaruar se e ardhmja e Ballkanit është Bashkimi Europian. Në deklaratën e saj në parlamentin europian ajo saktësoi se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është historike.
"Vendet e rajonit janë pjesë e Evropës, që ndajnë të njëjtën histori dhe fat me BE-në, dhe se e ardhmja e tyre qëndron brenda Bashkimit Evropian. Besimi është themeli i çdo partneriteti të fortë. Dhe Evropa do të jetë gjithnjë gati të ndërtojë partneritete të forta me fqinjët tanë më të afërt, e kjo nis me Ballkanin Perëndimor. Vendimi i gjashtë muajve më parë për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte vërtet historike. Dhe në fakt e ardhmja e të gjithë rajonit qëndron në Bashkimin Evropian. Ne ndajmë të njëjtën histori, ne ndajmë të njëjtin fat, Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe ata nuk janë vetëm një vend-ndalim përgjatë rrugës së mëndafshit. Ne do të paraqesim së shpejti një paketë për rimëkëmbjen ekonomike me Ballkanin Perëndimor duke u përqendruar në një numër nismash për investime rajonale”, tha presidentja e KE.



