Brezi Alpha, të rinjtë që kanë lindur pas vitit 2010, dhe lidhja e tyre e ngushtë me botën online ishte tema e diskutimit në studion e MCN Informacion. Ardit Gavani, ekspert IT; Ritvana Hajdari, psikologe dhe specialiste e politikave rinore; dhe Entela Hidri, pedagoge komunikimi, analizuan efektet e rrjeteve sociale te ky brez dhe evidentuan strategjitë për t’i përdorur ato në dobi të tyre.
Ritvana Hajdari
Të rinjtë bëjnë krahasime që ulin vetëvlerësimin. Kjo mund të çojë në izolim social. Ata marrin të mirëqenë çdo gjë që u paraqitet në platforma.
Problemi më i madh është kur përdoren këto platforma si mekanizëm shmangës. Pra, për t’u larguar nga një situatë që mund të kenë në jetën reale. Kjo rrit izolimin.
Rrjetet sociale kanë atë që quhet shpërblim i shpejtë. Kjo e bën leximin e një libri të duket i mërzitshëm.
Entela Hidri
Fëmijët nuk dëgjojnë sado të flasim. Ne japim model me sjellje, jo me fjalë.
Nuk po u mësojmë më fëmijëve si të nxënë. Nuk kemi kohë. Ndaj atë pak kohë që kemi duhet ta shfrytëzojmë. Njësoj siç përparon teknologjia, duhet të përparojnë edhe qeniet njerëzore. P.sh. projektet në shkollë duan kreativitet. Ta bën ChatGPT. Një mësuese te “Asim Vokshi” më ka bërë përshtypje, i kërkon projektet me shkrim dore. Pra, ne duhet të kërkojmë cilësi dhe jo sasi, të kërkojmë mendimin e nxënësit. T’i nxisim në debat, që të kuptojmë çfarë kanë kuptuar ata.
Jemi në një epokë kur ka shumë informacion, po pak dije.
Ardit Gavani
Brezi Alfa janë shumë më të aftë se prindërit e tyre, që e gjejnë një mënyrë t’i hapin. Lufta më e madhe është çfarë bëhet jashtë botës virtuale. P.sh. unë përpiqem ta shmang blerjen e i-Phone të fundit. Kjo furnizon varësinë. Fëmijët duhet t’i detyrosh paksa me forcë, sado e keqe të duket kjo kur e thua. Prindërit kanë përballë disa “monstra” teknologjike shumë të fuqishme. Është sfidë shumë e madhe. Është e lehtë ta thuash në televizion që të bësh këtë e atë, por ndryshe të kesh një fëmijë që të qan në shtëpi për i-Phone e fundit se e ka blerë shoku.



