
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e arrestuar për korrupsion u shkarkua nga detyra. Vendimi u mor nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që vendoi të pranojë kërkesën e ILD për shkarkimin nga detyra.
Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin, sipas të cilit KLGJ, vendosi shkarkimin nga detyra të magjistrates gjyqtare.
Në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.

Gjyqtarja e Krujës u arrestua pas zbulimit të skemës së mashtrimit ku lironte të burgosurit në shkëmbim të shumave të mëdha të parave. Në janar të 2020-s, gjyqtarja Hoxha firmosi lirimin e Endrit Dokles, numrit 2 të bandës së Durrësit. Gjyqtarja fillimisht i rrëzoi burgimin e përjetshëm, e dënoi me 25 vite burg. Më pas pranoi kërkesën e Dokles për lirim me kusht dhe 5 vitet t’i shlyente me shërbim prove. Inspektori i Larte i Drejtësisë, Artur Metani ka kërkuar shkarkim të gjyqtares për shkelje të ligjit dhe cenim të besueshmërisë tek sistemi i drejtësisë.
Hoxha është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.
Kush është Enkeleida Hoxha
Emri i saj është përmendur shumë në media për shkak se disa nga personazhet e njohur të botës së krimit janë liruar me firmën e gjyqtares së Krujës, si Genc Tafili, Endrit Dokle, Ilir Paja dhe Hekuran Billa.
Strategjia që ndiqte ishte e njëjtë: Fillimisht pranon kërkesën për rrëzim të burgimit të përjetshëm dhe i dënon me 25 vite burg, që sipas Kodit të vjetër Penal, një i burgosur ka të drejtë të fitojë lirinë me para kohe. Nëse nuk plotësohet ky kusht, gjyqtarja u firmos atyre amnisti dhe u njeh ulje dënimi. Dhe më pas, i lë të lirë, që pjesën e mbetur pa shlyer ua konverton në shërbim prove.



