Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “SCAMS”, duke goditur një tjetër Call Center në Tiranë që mashtronte qytetarë evropianë për investime në bursa fiktive.
Në pranga ranë administratori i subjektit, K. P., 28 vjeç, dhe një bashkëpunëtor i tij, M. H., 38 vjeç.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, bazuar në informacionet e marra se në rrugën “Bardhok Biba”, në një subjekt të licencuar për marketing, suport dhe konsulence në çdo veprimtari të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, po ushtrohej veprimtari e kundraligjshme e Call Centerit me qëllim mashtrimin e qytetarëve evropianë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “SCAMS””, thuhet ndërt të tjera në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan gjithsej 106,710 euro, 700,000 lekë të rinj, 51 kompjuterë, 14 celularë dhe dokumente me të dhëna për klientët.
Janë proceduar penalisht 38 punonjës të Call Center-it.
“Gjatë kontrollit u konstatuan 38 operatorë, të cilët dyshohen se mashtronin qytetarë në vende të ndryshme të Evropës për të investuar në bursa fiktive.
Në ambientet e subjektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
65210 euro pa dokumentacion për vërtetimin e burimit; lista e emrave që i ishte vendosur çdo operatori në momentin e prezantimit me viktimën; lista e shumave që secili operator kishte përvetësuar me anë të mashtrimit; lista e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, ku për muajin tetor ishte 1.5 milionë euro; 51 njësi kompjuterike dhe 14 aparate celular.
Në vijim të operacionit, janë ushtruar kontrolle në banesat e bashkëpunëtorëve të afërt të shtetasit K. P., dhe nga kontrollet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj në banesën e shtetasit M. H., 38 vjeç, pa dokumentacion të burimit të të ardhurave”, thuhet më tej në njoftim.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale të mashtrimit, pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave.



