
Paketa anti-KÇK e propozuar sot nga kryeministri Rama i jep një pushtet të madh policisë së shtetit, e cila përmes këtij ligji që pritet të kalojë në parlament, do të mund të përgjojë këdo, madje pa një urdhër të gjykatës apo prokurorit.
Paketa krijon një njësi hetimi nën Policinë e Shtetit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e cila do të ndahet në dy drejtori: Drejtoria e Antiterrorit dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar. Ato do të vendosen në një ndërtesë speciale. Kjo njësi do të ketë 12 drejtori rajonale të vendosura në 12 drejtoritë rajonale të policisë.
Pavarësisht se ligji ka në fokus prokurorë e gjykatës të korruptuar si dhe personazhe të botës së krimit dhe është specifik në rastet e sekuestrimit të pronës, nuk mungojnë dhe elementet ku policia mund të kërkojë informacione nga kompanitë celulare mbi bisedat telefonike, internetin, regjistrat elektronikë, etj.
“Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetem me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart”, – thuhet në projektligj.
Çfarë parashikon ligji kundër krimit të organizuar që propozon qeveria:
- Njesia do të hetojë çdo krim të parashikuar në kodin penal, nga vjedhja me armë, tek droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, fallsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, korrupsioni i çdo zyrtari publik. Ajo do të hetojë edhe individët përfitues të buxhetit të shtetit, koncesione, PPP, subvencione, etj.
-Struktura do të ketë të drejtën të kufizojë lirinë e individit brenda një territori të caktuar. Ky urdhër do të vlerësohet nga prokuroria dhe jo nga gjykata.
-Policia do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pashaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit. Ky urdhër i komunikohet prokurorit, i cili e dërgon në gjykatë brenda 48 orëve.
-Struktura dhe BKH kanë të drejtë të nisim hetim pasuror për individet që dyshojnë se niveli i jetesës nuk mbulohet nga të ardhurat. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.
-Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetem me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart.
-Policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo gjë e dhënë tjetër nga subjekete private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës.
-Policia mund të sekuestrojë provat e mbledhura në varësi të urdhërit të Prokurorit. Provat e mbledhura prej tyre do të përdoren sipas vlerësimit të prokurorit.



