Ish-kreu i UÇK, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues se është plotësisht i pafajshëm.
“E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar ish-Presidenti i Kosovës.
Jakup Krasniqi u shpreh: “S’kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokuroria para pak kohësh. Akuzën e kuptoj, por nuk pajtoj pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi me atë që e flet akuza. Jam plotësisht i pafajshëm”.
“Po gjithsesi, e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë 2 vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falënderoj, jam tërësisht i pafajshëm”, tha Kadri Veseli.
“Jam i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë”, deklaroi Selimi.
Zyra e Prokurorisë Speciale teksa lexoi pikat e akuzës tha: “Të akuzuarit me anë të pjesëmarrjes së përbashkët, kryen, ndihmuan dhe inkurajuan. Dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e kryera ishin në prag të kryerjes ose ishin kryer nga vartësit dhe nuk morën masat për parandalimi ne atyre dhe për ndëshkimin e kryerësve të tyre. Ata kanë përgjegjësi penale për: ndjekje, krim kundër njerëzimit, burgosje, arrestim, akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit i ndëshkuar, trajtim mizor, krim lufte, torturë, krim kundër njerëzimit, torturë, vrasje e paligjshme”.
Kujtojmë që sot në Gjykatën Specialen nisi procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.



