Një shahiste iraniane, e cila garoi në një turne ndërkombëtar pa shami në kokë, i është dhënë shtetësia spanjolle, njoftoi të martën ministrja spanjolle e Drejtësisë. Sara Khadem, e njohur gjithashtu si Sarasadat Khademalsharieh, konkurroi në Kampionatin Botëror të Shahut të Shpejtë dhe Blitz FIDE në Almaty, Kazakistan, në dhjetor 2022. Ajo u fotografua pa hixhab, pavarësisht faktit se mbulesa është e detyrueshme në Iran, duke çuar në lëshimin e një urdhër arresti në vendin e saj, sipas Reuters. Që nga ajo kohë e reja jeton në Spanjë. Khadem ishte një nga një sërë sportistësh që u shfaq në një ngjarje sportive pa hixhab që kur shpërthyen protestat antiqeveritare në shtator të vitit të kaluar, të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminit. 22-vjeçarja kurdo-iraniane vdiq në mesin e muajit shtator pasi u arrestua nga policia morale e vendit për mos respektim të kodit konservator të veshjes së vendit, duke shkaktuar zemërim dhe një sërë protestash ndaj regjimit. Ministrja e Drejtësisë e Spanjës, Pilar Llop, tha se kishte “rrethana të jashtëzakonshme” në situatën e Khademit, duke njoftuar se Këshilli i Ministrave i vendit i dha asaj “shtetësinë spanjolle përmes një letre natyralizimi”. Shahistja u takua me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez në muajin janar, i cili tha se ishte i frymëzuar nga ajo. “Sa shumë kam mësuar sot nga një grua që më frymëzon, mjeshtrja e madhe e shahut të grave Sara Khadem,” shkroi Sanchez në Twitter.



