Ambientalisti Lavdosh Ferruni, në një intervistë për MCN, deklaroi se projektet në zonat e mbrojtura, përfshirë edhe Zvërnecin, aktualisht janë të pezulluara pas presionit të protestave dhe amendamentit të Parlamentit Europian që kërkon ndalimin e ndërhyrjeve në këto territore. Sipas tij, kjo përbën një arritje të drejtpërdrejtë të lëvizjes qytetare.
Ferruni theksoi se kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën si nevojë për “përmbysje të sistemit”. Ai shtoi se në këtë moment nuk ka kuptim ulja në tryezë me qeverinë për dialogim, pasi sipas tij vendi kërkon ndryshim të plotë të modelit qeverisës.
Duke komentuar akuzat se në protesta mund të ketë elementë “anti-shqiptarë”, Ferruni i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se protestuesit janë qytetarë që kërkojnë ndryshim rrënjësor.
Intervista e plotë:
-Ndërsa protesta vazhdon, çfarë ndodh sot me projektet në zonat e mbrojtura përfshi dhe Zvërnecin?
Jemi në situatën që duhet respektuar amendamenti i PE që të mos bëhet asnjë veprim në zonat e mbrojtura dhe kjo është një arritje e protestës dhe aktualisht janë të pezulluara veprimet.
-Ju si ambientalist, a keni dalë me një listë kërkesash për qeverinë, krahas atyre të dala tashmë nga protesta?
Në si ambientalist jemi pjesë të shoqërisë shqiptare dhe kemi kërkesa të qarta. Çdo tentativë për të na veçuar nga të tjerat nuk ka sens. Kërkesa e parë është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
-Qeveria ka bërë thirrje për dialog por një gjë e tillë është kundërshtuar. Çfarë do të sillte sipas jush ulja në një tryezë me qeverinë në këto momente?
Nuk ka kuptim të ulemi me qeverinë për dialog, pasi bie ndesh me këtë lëvizje në këtë moment pasi kërkohet përmbysja e sistemit të vjetër me një të ri. Nuk është koha për negociata, por një reagim demokratik dhe të jepet një dorëheqje dhe të hapet rruga për një ndryshim të ri dhe energji të reja.
-Sot tha se ka ngritur një grup pune që po vëzhgon dhe dëgjon gjithçka nga protesta. Si e lexojmë këtë deklaratë?
Ajo që ai thotë është se ..unë mendoj që ne si shoqëri shqiptare është që mund të shkojmë më kollajë në BE pa Edi Ramën sesa të presim atë të na çojë.
-A po mundohet kryeministri sipas jush të shuaj zjarrin e kësaj proteste teksa thotë se mes saj ka persona që nuk ia duan të mirën Shqipërisë?
Unë kam qenë në protestë shumicën e ditëve dhe nuk shoh njerëz që të jenë antishqiptar. Nuk shoh ndonjë antikombëtar aty, apo grupim. Aty janë të gjithë qytetarë që kërkojnë ndryshim rrënjës të modelit të zhvillimit të këtij vendi.
-Pak ditë më parë eurodeputetët e gjelbër thanë se qeveria nuk ka dhënë garanci për Zvërnecin. Mendon se Rama do të vijojë projektin pavarësisht paralajmërimeve se është duke shkalur standardet e bashkimit evropian?
Rama tani është në betejë me shoqërinë shqiptare e cila po kërkon masivisht dorëheqjen e tij. Nuk arrij ta kuptojë pasi jemi në një betejë të madhe dhe nuk është puna më për një projekt të caktuar. Nëse Rama do të kishte reaguar duke anuluar projektin, ndoshta nuk do të arrinte në këtë moment lëvizja ku po kërkohet dorëheqja e kryeministri.



