
Ish-prokurori Eugen Beci, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me akuzat që SPAK ka ngritur ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas tij, lista e gjatë e veprave penale për të cilat dyshohet Veliaj, përfshirë korrupsionin aktiv e pasiv, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave, përbën një çështje penale me pasoja të rënda, ku dënimi mund të shkojë minimalisht deri në 10 vite burg.
Kemi të bëjmë me 9 episode të korrupsionit, për të cilat parashikohen dënime nga 4 deri në 12 vite burg secila. Vetëm nga këto raste, nëse i referohemi mesatares, një dënim nën 10 vite është praktikisht i pamundur nëse akuzat konfirmohen.
Edhe akuza të tjera si pastrimi i produkteve të veprës penale parashikojnë dënime deri në 15 vite burg, çka e rëndon më tej pozitën ligjore të Veliajt nëse provat e SPAK mbështeten në gjykatë.
Nëse arrijnë të provohen të gjitha akuzat në themel, edhe duke dhënë minimumin për secilën, shkon te 10 vitet burg. Nëse jepet dënimi maksimal për secilën, atëherë situata është edhe më e rëndë për të.



