
Rusia publikon fotografinë e një prej personave të arrestuar për sulmin terrorist në Moskë, ku sipas shifrave të fundit flitet për 115 viktima.
Katër të dyshuarit për sulmin terrorist në sallën e qytetit Crocus u arrestuan pranë kufirit me Ukrainën, njoftoi Komiteti Hetues në kanalin e tij Telegram.
Shërbimet speciale në rajonin Bryansk, jo shumë larg kufirit me Ukrainën, arrestuan katër të dyshuar nga ata që kryen një sulm terrorist në sallën e koncerteve Crocus City Hall.
Sipas FSB-së, pas sulmit terrorist, katër të dyshuar u përpoqën të arratiseshin me një makinë dhe të kalonin kufirin ruso-ukrainas. Kriminelët raportohet se kishin kontakte në Ukrainë.
Ndërkohë kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) Aleksandr Bortnikov ka informuar presidentin Vladimir Putin se njëmbëdhjetë të dyshuar janë arrestuar në lidhje me sulmin në Sallën e qytetit Crocus, raporton RT, duke cituar Kremlinin.
Të arrestuarit përfshijnë katër terroristët e përfshirë drejtpërdrejt në sulmin në sallën e koncerteve në periferi të Moskës, i tha Bortnikov kreut të shtetit.
Shteti Islamik, ISIS, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e të premtes në sallën e koncerteve, ku ishin të pranishëm mbi 6 mijë persona, ku krahas viktimave janë dhe rreth 150 të plagosur.
Në Moskë janë anuluar të gjitha ngjarjet kulturore dhe sportive ku ka grumbullime, ndërkohë që është rritur niveli i sigurisë për infrastrukturën kritike ruse, për të parandaluar ndonjë sulm të ngjashëm.



