
Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) në SHBA ka mbledhur një sasi jashtëzakonisht të madhe të dhënash nga kompanitë telefonike. Një raport i publikuar të premten ka arritur në përfundimin se NSA-ja ka mbledhur gjatë vitit 2017 mbi 534 milionë regjistrime telefonatash dhe mesazhesh, të cilat janë marrë nga kompanitë amerikane të telekomunikacionit si T&T dhe Verizon. Në raport thuhet se kjo sasi të dhënash është trefish më e madhe se ajo e mbledhur në vitin 2016.
Analistët e inteligjencës shpesh kërkojnë informacion për amerikanët nëpërmjet mbledhjes së të ashtuquajturave “të dhëna të telefonatave”, që kanë të bëjnë me emrat e atyre që kontaktojnë me njëri-tjetrin, por jo me përmbajtjen e bisedave.
Raporti i ri, një vëzhgim vjetor statistikor që përpilohet nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, nuk shpjegon arsyen pse numri i regjistrimeve është rritur në mënyrë dramatike.
Megjithatë, është e sigurt që NSA-ja nuk u ka kërkuar autoriteteve të ndryshojnë rregullat për mënyrën e mbledhjes së të dhënave.
Vëllimi i madh dhe në rritje i të dhënave të mbledhura tregon se NSA-ja vazhdon të mbledhë sasi të konsiderueshme informacioni për mesazhe telefonike dhe me tekst të amerikanëve pas ndryshimeve të bëra nga Kongresi në një ligj të vitit 2015, që njihet si Akti i Lirisë së SHBA-ve, i cili rishikoi mënyrën se si NSA-ja mund të kenë akses në të dhënat e brendshme të telekomit.
Ky ligj i dha fund një programi dikur sekret me të cilin NSA-ja kishte mbledhur në mënyrë sistematike të dhëna të komunikimit telefonik të të amerikanëve në masë, praktikisht miliarda regjistrime në ditë. Programi e ka origjinën që pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe u zbulua në vitin 2013 nga ato që rrëfeu për median Edward J. Snowden, ish-kontraktori i inteligjencës, duke nisur kështu një debat të gjerë mbi mbikëqyrjen dhe privatësinë.



