Ëndrra britanike për të shmangur rrezikun me gomone kushtonte nga 500 deri në 1500 euro duke blerë një pasaportë false greke apo italiane në Kamëz. Një grup është arrestuar në kuadër të operacionit WaterMark ndërsa hetimet nisën fillimisht në gjermani, në aeroportin e Hanoverit. “Passaporaeurope” ishte zyra e trafikantëve shqiptarë në “TikTok” e cila pajisi me dhjetëra klandestin me dokumente false për të prekur ëndrrën britanike. FactCheck sjell një kolazh të fotove e pamjeve të mjeteve të identifikimin të prodhuar nga trafikantët tashmë të arrestuar nën operacionin e koduar “Watermark”. Ato kanë përmasat, format, ngjyrat dhe brenda tyre çdo detaj të një mjet identifikimi normal ndërsa filigramat u konstatuan të mbivendosura. Në prangat e Policisë së Tiranës, sektorit të krimit ekonomik dhe hetimeve të ndjekura nga prokuroria kanë rënë tre shtetas, përkatësisht: Mariglen Hoti, Shkëlqim Hoxha, Ilir Hoxha. Por si u zbulua ky rrjet dhe si u vunë në dijeni hetuesit shqiptar? Gjithçka ka nisur në vitin 2022, aty ku Policia Kufitare Gjermane në aeroportin e Hanoverit ndaloi bashkëshortët shqiptarë O.N dhe K.L “Në datën 09.11.2022 në aeroportin e Hanoverit është arrestuar një çift shqiptar të cilët po tentonin të fluturonin për në Londër duke përdorur dokumente greke të falsifikuara. Pasaportat përmbanin një përzierje të filigranteve S. të dyfishtë dhe gjysmëhënë, gjithashtu përmbanin një çip të lexueshëm. Shtetasit e arrestuar janë O.N. dhe K.L., dhe gjatë hetimeve u konstatua se një i afërm i tyre kontaktoi me një falsifikues në Shqipëri nëpërmjet rrjetit ‘Tik-Tok’, profili “passaporaeurope”. Ky hetim u zgjerua me kërkesë të autoriteteve gjermane pas letërporosisë sjell për Interpol Tirana dhe u konkludua me tre të arrestuar. Po ku ishte baza e të arrestuarve? FactCheck ka mësuar se ata operonin në qytetin e Tiranës dhe Kamzës dhe nuk kanë ndalur aktivitetin e shitjes së dokumenteve të falsifikuara deri kur u prangosën. Kundrejt 400 eurove ata shihnin ID dhe Patenta Italiane e Greke, ndërsa me një çmim nga 1500-2000 euro shitej pasaporta Greke ose Italiane për të interesuarit. Ky hetim mbetet i hapur ndërsa Krimi Ekonomik i Tiranës po punon me Policinë Kosovare për të zbuluar dhe goditur laboratorin e falsifikimit.



