Një aksident tragjik i ndodhur së fundmi ka rikthyer në vëmendje problematika të thella sociale dhe institucionale në vend, duke nxitur debat mbi përgjegjësitë që shkojnë përtej autorit të drejtpërdrejtë.
Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, analisti Enton Abilekaj ngriti një sërë pyetjesh mbi shkaqet reale që çojnë në ngjarje të tilla.
Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te individi që shkakton aksidentin, por te zinxhiri i dështimeve që e paraprijnë atë.
Për të gjetur fajin e vërtetë nga vjen, ne duhet të bëjmë pyetjet: pse fëmijët luajnë në trotuar? Kush e ka bërë këtë? Pse nuk kanë ku të luajnë?
Ai solli në vëmendje mungesën e hapësirave publike për fëmijët, duke theksuar se kjo i detyron ata të luajnë në rrugë, duke rritur rrezikun për aksidente.
Kemi tre fëmijë që luajnë në trotuar, sepse nuk kanë ku të luajnë. Nuk kanë asnjë vend.
Në analizën e tij, Abilekaj kritikoi gjithashtu urbanistikën dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në hapësirat publike.
“Më dërguan një rast ku një fushë e vogël basketbolli mes pallateve do të zëvendësohet me ndërtim. Edhe ajo po zhduket,” tha ai, duke nënvizuar mungesën e planifikimit në shërbim të komunitetit.
Një tjetër element i fortë i kritikës lidhej me mosveprimin e institucioneve, veçanërisht policisë, përballë ankesave të banorëve.
Banorët ankohen për një person që kalon me shpejtësi të lartë, por askush nuk i dëgjon. Pse policia nuk ndërhyn kur ankohet banori?
Ai shkoi më tej duke akuzuar për një kulturë të gabuar institucionale.
Në Shqipëri, kur shikon një shkelës ligji, nuk e shikon si problem, por si mundësi për të bërë para.
Sipas Abilekajt, problemi është sistemik dhe prek çdo hallkë të shtetit.
“Problemi është që çdo hallkë që ka lidhje me shtetin nuk funksionon”, përfundoi ai, duke kërkuar reflektim dhe masa konkrete për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.



