Një operacion i policisë së Kukësit i koduar “First”, ka zbuluar një banesë të përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në lagjen nr. 3, në qytetin e Kukësit, një shtetas kishte përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike, u bë organizimi i operacionit.
Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e dyshuar, ku gjatë kontrollit u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me llamba.
Shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 934 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike, llamba elektrike, aspiratorë dhe aksesorë të tjerë që shërbejnë për ngrohje.
Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e policisë nuk kanë konstatuar njeri në banesë. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, e pronarit të banesës, shtetasit K. H., 51 vjeç, dhe e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit H. S., 28 vjeç, të dy banues në Kukës.
Vijon puna për kapjen e shtetasve K. H., dhe H. S., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për ndjekje të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.



