
Një 28-vjeçar, i identifikuar si Kristjan Kaçorri, ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja ka ndodhur pranë një kioske në ‘lulishten’ e njohur të zonës.
Sipas Policisë së Tiranës, Kaçorri dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht me një armë që e mbante pa leje. Ai u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas hetimeve, policia ka vënë në pranga tre persona: Kristjan Kaçorrin, A. C., 33 vjeç, dhe A. M., 30 vjeç. Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi E. E., 41 vjeç nga Kuçova. Të arrestuarit akuzohen për fshehjen e armës së zjarrit dhe pastrimin e vendit të ngjarjes.



