
Ish-kardinali amerikan, Theodore McCarrick, është figura më e lartë e Kishës Katolike që është përjashtuar nga shërbimi kishtar për shkak të akuzave për abuzime seksuale.
Zyrtarët e Kishës Katolike amerikane kanë thënë se akuzat e ngritura ndaj tij për sulm seksual ndaj një adoleshenteje janë të besueshme dhe të bazuara në fakte.
McCarrick, i cili tash është 88-vjeçar, kishte dhënë dorëheqje më parë nga pozita e tij, por kishte thënë se nuk i kujtohet që ka bërë një krim për të cilin po akuzohet.
Abuzimet seksuale mund të kenë ndodhur para një kohe shumë të gjatë dhe kjo e pengon sistemin e drejtësisë për ta gjykuar ish-kardinalin për shkak të rregulloreve të gjykatave për vjetërsinë e veprave.
Ai ka qenë kryepeshkop i Uashingtonit nga viti 2001 deri në vitin 2006. Që nga dorëheqja e tij vitin e kaluar, ai ka vendosur të jetojë i izoluar në një manastir të Kansasit. McCarrick është kardinali i parë që ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë që nga viti 1927.
McCarrick është vetëm njëri nga qindra shërbyesit kishtarë që janë akuzuar për abuzime seksuale me fëmijë përgjatë disa dekadave, shkruan BBC.
Vatikani tha se Papa Françesku kishte vendosur përjashtimin e McCarrick nga kleri definitivisht dhe nuk do të lejonte ndonjë apelim të mëtejshëm kundër vendimit.
McCarrick thuhet se ka sulmuar adoleshentin duke punuar si prift në Nju Jork në fillim të viteve 1970. Pretendimet u bënë publike nga Kryepeshkopi aktual i Nju Jorkut, Kardinali Timothy Dolan.
Ai tha se një agjenci e pavarur ligjore kishte hetuar akuzat. Një bord shqyrtues, duke përfshirë ekspertë ligjorë, psikologë, prindër dhe prift, gjetën pohimet "të besueshme dhe të vërtetuara".
Në atë kohë, McCarrick tha në një deklaratë se "nuk kishte kujtesë për këtë abuzim të raportuar" dhe besonte në pafajësinë e tij.



