
Katër vjet pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale, aktori James Franco ka pranuar se ka bërë seks me studentë të shkollës së tij të aktrimit.
Ai pranoi të paguante 2.2 milionë dollarë (1.6 milionë £) në korrik, pasi u padit për përfshirje në "sjellje seksuale ndaj studenteve femra".
Duke folur në ‘The Jess Cagle Podcast’, ai tha se ndërsa jepte mësim, ai "flinte me studentet dhe kjo ishte e gabuar".
Ai tha se nuk e kishte filluar shkollën për të joshur gratë për qëllime seksuale.
Aktori tha se kishte qëndruar i heshtur për një periudhë kaq të gjatë sepse "kishte njerëz që ishin të mërzitur me mua dhe unë kisha nevojë të dëgjoja".
Sarah Tither-Kaplan dhe Toni Gaal, të cilët ndoqën shkollën e aktrimit të Frankos, ‘Studio 4’, pretenduan se Franko u përpoq të "krijonte një grup të vajzave të reja që i nënshtroheshin shfrytëzimit të tij seksual personal dhe profesional në emër të edukimit".
Padia në grup - e paraqitur në Los Anxhelos në 2019 - pretendonte se ai abuzoi me pozitën e tij dhe u krijoi mundësi për role në filmat e tij.
Në këtë rast, studentët pretenduan se ishin viktima të mashtrimit për të paguar shkollën e aktrimit, ndërkohë që ishin objektivizuar dhe sulmuar seksualisht.
Kur u shfaqën akuzat për herë të parë, Franko tha se ato nuk ishin "të vërteta".
Por pagesat iu bënë përfundimisht Tither-Kaplan dhe Gaal, si dhe studentëve të tjerë që bënë ankimin.
Në fragmente nga podkasti të bëra publike të mërkurën, Franco, 43 vjeç, tha se ai ishte në shërim nga varësia ndaj seksit që nga viti 2016 dhe kishte "bërë shumë punë" pas akuzave kundër tij "dhe duke ndryshuar atë që isha".
"Unë supozoj se në atë kohë, mendimi im ishte nëse është konsensuale, në rregull," i tha ai podcast-it në SiriusXM.
Komentet janë përpjekja e parë publike e aktorit për t'i trajtuar gjerë e gjatë akuzat.
I pyetur se si mund të mos ishte në dijeni të potencialit të dinamikës së pushtetit midis një mësuesi dhe studenti për të shtrembëruar konceptin e pëlqimit, Franko u përgjigj: "Në atë kohë, nuk isha mendjemprehtë".
Franko u nominua për aktorin më të mirë në Oscars në 2011, për rolin e tij kryesor në filmin 127 Hours, i cili u drejtua nga Danny Boyle.



