Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e konsideroi një brutalitet vrasjen e civilëve në Veriperëndim të Kievit, ku dyshohet se u ekzekutuan nga forcat ruse.
“Është një brutalitet ndaj civilëve që nuk e kemi parë në Evropë për dekada. Është e tmerrshme dhe është absolutisht e papranueshme që civilët të jenë në shënjestër dhe të vriten. Tjesht nënvizon rëndësinë që kjo luftë duhet të përfundojë,” tha shefi i NATO-s për CNN.
Trupat e të paktën 20 civilëve meshkuj, u gjendën në rrugët e qytetit Bucha, në Veriperëndim të Kievit, pas tërheqjes së forcave ruse nga zona. Ndër të tjera, Stoltenberg deklaroi se pret një hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.



