Edhe Partia Demokratike e përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me ligjin e vetingut. Demokratët thonë se Komisioni i Venecias konfirmon tërësisht qëndrimin e Partisë Demokratike, se; “procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (veting) duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit, dhe se çdo organ tjetër qeveritar duhet të veprojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe Kolegji i Apelimit)”.
PD nxit Gjykatën Kushtetuese të përfundojë sa më shpejt shqyrtimin e ligjit të vetingut.
“Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të vetingut, sipas të gjithë çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm. Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të garantojë që ligji i vetingut të jetë në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në reagim.
