Një vazo 3500-vjeçare është thyer aksidentalisht nga një djalë 4-vjeçar gjatë një vizite në një muze në Izrael.
Muzeu Hecht në Haifa tha se relikja i përkiste Epokës së Bronztë që datonte në vitet 2200-1500 para Krishtit dhe ishte e rrallë për shkak të gjendjes së mirë që kishte.
Artefakti ndodhej në një vitrinë në hyrje të muzeut pa xham mbrojtës pasi institucioni beson se ka “diçka të veçantë” në shfaqjen e objekteve arkeologjike “pa pengesa”.
Muzeu tha se ishte një aksident ndërsa djali dhe familja e tij janë ftuar sërish për një shëtitje të organizuar. Sipas muzeut, ngjarja ndodhi disa ditë më parë kur djali i vogël, ndodhej aty për një vizitë.

“Ka raste kur objektet e ekspozuara dëmtohen qëllimisht dhe raste të tilla trajtohen me ashpërsi të madhe, duke përfshirë policinë. Megjithatë, në këtë rast, situata nuk ishte kjo. Vazoja u dëmtua aksidentalisht nga një fëmijë i vogël që vizitonte muzeun dhe përgjigja do të jetë në përputhje me rrethanat”, tha Lihi Laszlo nga muzeu për BBC.
Një specialist do të kujdeset për ta rikthyer vazon në gjendjen e mëparshme dhe brenda një kohe të shkurtër do të rivendoset në vendin e saj.
Muzeu tha se “kur është e mundur, sendet prezantohen pa pengesa apo mure xhami”. Dhe pavarësisht “incidentit të rrallë”, muzeu dëshiron ta vazhdojë traditën.
Babai i djalit Alex tha se ata do të ndihen "të lehtësuar" kur të shohin vazon të restaurohet, por shtoi se i vjen keq sepse "nuk do të jetë më i njëjti artikull".
Vazoja ka shumë të ngjarë të ishte menduar fillimisht për t'u përdorur për të transportuar furnizime lokale, të tilla si verë dhe vaj ulliri.
Ajo i paraprin kohës së mbretit biblik David dhe mbretit Solomon dhe është karakteristikë e rajonit të Kanaanit në bregun lindor të Mesdheut.



