Pushtimi i zonave të mbrojtura nga ‘investitorët strategjikë’

Pushtimi i zonave të mbrojtura nga ‘investitorët strategjikë’

Në mandatin e parë të saj, qeveria socialiste e udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, depozitoi në Kuvend projektligjin për investimet strategjike.

E ndarë që në fushatën e vitit 2013 me klientelizmin qeveritar të asaj që prodhoi nisma “Shqipëria 1 euro”, ligji i ri i argumentoi favorizimet që jepeshin për një grup biznesesh me thithjen e investimeve të huaja, zhvillimin e sektorëve të rëndësishëm që do të sillnin ndikim në ekonomi dhe kualifikimin e fuqisë punëtore nga grupe me eksperiencë në këtë fushë.

Që nga viti 2015 kur ligji për “Investimet Strategjike” hyri në fuqi dhe deri më sot, nisma ka prodhuar më shumë skandale se investime, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pambarimisht shtyrjen e afatit të ligjit.

Nisma supozohej të përfundonte efektet në dhjetorin e vitit 2018, por është shtyrë katër herë duke lënë së fundi përfundimin e fuqisë së tij në dhjetor të vitit 2024.

Shtyrja e ligjit për investimet strategjike dhe ndryshimi i atij për zonat e mbrojtura u dukën një koiçidencë rastësore deri në publikimin e planeve të dhëndrit të ish -presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, i cili lançoi në një intervistë në Bloomberg, planin për të ndërtuar resorte turistike në ishullin e Sazanit dhe në plazhin e Zvërnecit.

“Ky është një ligj që nuk e kanë bërë me porosi, por e kanë qepur për veten e tyre. Shumë nga investimet strategjike janë përfituar nga ministrat e qeverisë Rama.” thotë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Agron Shehaj.

“Nuk ka në zona të mbrojtura resorte me 5 yje, në asnjë vend të botës. Do ishte më e ndershme që krahas qëllimit të shpallur për zhvillimin e tyre, të pranohet që ne nuk do të kemi më zona të mbrojtura.” thotë Olsi Nika nga ‘Eco Albania’.

Kushner njoftoi planin për të investuar afro 1 miliard euro në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, disa orë përpara publikimit të artikullit të të përditshmes amerikane Neë York Times, e cila e kishte kontaktuar disa herë për të komentuar mbi një artikull që po shkruante për këtë investim.

Sipas New York Times, dhëndri i ish presidentit Trump ka vizituar dy herë Shqipërinë bashkë me gruan e tij Ivanka, të shoqëruar nga ish-ambasadori e SHBA-ve në Gjermani në vitet 2018-2020 Richard Grenell, i cili ka qënë dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për marrëveshjen e paqes mes Serbisë e Kosovës. Në këto takime çifti Kushner janë shoqëruar dhe nga Asher Abehsera, një invetitor në fushën e pasurive të patundhshme me bazë në Kaliforni.

“Zhvillimi i një zone si Sazani dhe pjesa e Zvërnecit duhet t’i ishte nënshtruar një debati. Ka njerëz që i shohin si asete mjedisore që duhet të ruhen dhe ka që mendojnë që duhen zhvilluar dhe duhet të përfitojmë nga ana ekonomike. Unë jam për zhvillimin e tyre, por ndahem te mënyra se si po tentohet të zhvillohen.” thotë Pano Soko, ekspert ekonomie.

Jared Kushner zotëron një kompani në investimesh, Affinity Partners, ku 2 miliard dollarë janë para të investuara nga fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite dhe qindra miliona dollarë nga fondet e familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe në Katar. Grupi është në bisedime me një nga kompanitë më të mëdha shqiptare, Kastrati, për të asistuar për ndërtimin e projektit në nivel lokal, ndërsa në tetor 2022, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi në Indian Creek në Florida me vlerë 7.5 milion dollarëm në afërsi të vendit ku jetojnë Ivanka Trump dhe Jerad Kushner. Vitin e shkuar kompania Kastrati bleu gjithashtu një hotel në Miami me vlerë 55 milion dollarë, që zotërohej nga familja mbretërore e Katarit.

“Këto janë vendime politike dhe ndalohen vetëm me votë dhe duhet thënë që dhe ndalimi me votë po bëhet gjithnjë dhe më i vështirë dhe të gjitha këto që po ndodhin bëhen që rotacioni politik të bëhet i pamundur.” thotë deputeti Agron Shehaj.

Vetë ambasadori i mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë ka shpallur planin për të investuar vlera me 200-300 milion dollarë në fushën e infrastrukturës në zonën e qarkut të Vlorës. Ndërsa në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, në janar të vitit 2021, presidenca e drejtuar në atë kohë nga Ilir Meta akuzoi Ministrinë e Financave se kishte shkelur Kushtetuën pasi nuk kishte marrë plotfuqishmërinë e Presidentit për të ndryshuar marrëveshjen e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim. Huaja me vlerë 30 milion dollarë, kishte fillimisht si qëllim financimin e rrugës së Lumit të Vlorës, por fondet më pas u orientuan për të financuar rehabilitimin e rrugës Vlorë -Orikum.

“Unë nuk besoj se në Amerikë presidenti apo kushdo tjetër do i falte mnjë ishull dikujt në konflikt interesi kujtdo qoftë ai.”  shton Shehaj.

“Ne një ishull kemi dhe duhet të marrim më të mirën, jo vetëm nga ana ekonomike por dhe fiskale. Mos të harrojmë që urbanizimi i asaj zone do të kërkojë shifra marramandëse në infrastrukturë, drita, ujë, kanalizime dhe këto do t’i paguajmë ne.” sqaron Soko.


Më shumë se për pikëpyetjet që lidhen me interesat financiarë, ekspertët shtrojnë për diskutim çështjen e ligjeve të bëra me porosi, duke e trajtuar të tillë shtyrjen e afatit për ligjin e investimeve strategjike dhe lënien në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit për të vendosur nëse duhet ose jo të ndërtohet në zonat e mbrojtura. Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Kombëtar Sazan- Karaburun dhe zona detare përreth tij është zonë e mbrojtur bashkë me pjesën e brigjeve të Zvërnecit.

“Delta e lumit Vjosa është një nga më të ruajtuarat në kuptimin ekologjik sepse ka një vijësimi të ekonsistemit dhe vazhdon në pjesën ranore. Vetëm në këtë pjesë ne kemi dunat e pastabilizuara ranore, kemi ekosistemit e zhvendosjes së lumenjëve dhe deri në laguna siç është ajo e Nartës.” shpjegon Olsi Nika.

Projekti potencial për të marrë statusin ‘strategjik’ i dhëndrit të ish Presidentit amerikan Donald Trump nuk është i vetmi që prek zonat e mbrojtura. Komiteti i Investimeve Strategjike, një strukturë e posaçme e cila vlerëson aplikimet e bizneseve në sektorë të përzgjedhur, i ka hapur rrugë ndërtimeve të hoteleve dhe komplekseve me vila brenda këtyre zonave ose shumë afër tyre, duke shkaktuar dëme të parikuperueshme në ekosisteme, mjedis dhe bukuritë historike që njhen si trashëgimi kulturore.

Në këtë hartë duken zonat e investimeve strategjike të dhëna në turizëm. Shumica janë në vijën e parë dhe zenë në total një sipërfaqe prej 20 milion metra katrorë.

Edhe pse këto zona janë klasifikuara të mbrojtura dhe Komiteti i Investimeve Strategjike është vënë në dijeni, ai ka dhënë dritën jeshile për të nisur ndërtimin duke i dhuruar dhe statusin e veçantë strategjik.

Komiteti është shprehur në vendime që koordinatat duhet të përcaktohen nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe është mjaftuar me një raport të vlerësimit në mjedis që kanë dorëzuar vetë sipërmarrësit e interesuar.

Një nga sipërfaqet më të mëdha që do të zhvillohen është ajo e kompanisë “Jonian Heaven” në Sarandë.  1.28 milion metra katrorë pritet të preken nga ndërtimet në zonën e mbrojtur të Kepit të Stillos që është njëkohësisht dhe Trashëgimi Kulturore. Projekti shtrihet në një pjesë Parkut Kombëtar të Butrintit dhe bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Edhe projekti Manastri Resort prek Parkun Kombëtar të Butrintit.

“Edhe Parku i Butrinit është më kompleks, se nuk është vetëm pjesa arkeolgojike dhe pjesa tjetër trajtohet ‘si pika të vogla’ por që në territor nuk janë aq të vogla.” tregon Nika.

4 projekte strategjike në turizëm vendosen mbi Deltën e Përroit të Palasës, i shpallur Monument Natyre për bimësinë unike në botë që mban. Një tjetër ndërtim pritet të nisë afër Shpellës së Piratëve, zonë e cila jo vetëm që ka bukuri vizuale, por jetojnë fokat, gjitarët e detit.

Projektet hyjnë edhe në brendësi të fshatit Dhërmi në afërsi të objekteve të shpallura Trashëgimi Kulturore. Një prej tyre po ndërtohet në afërsi të Kishës së Ipapandisë.

Një nga vendet më të pazbuluara të Shqipërisë, të cilën mungesa e infrastrukturës e ka mbajtur larg syve të ndërtuesve është bregdeti i Kavajës. Peisazhet natyrore në këtë zonë janë mahnitëse, ndërsa Plazhi i Gjeneralit njihet si një nga më të bukurit e Adriatikut. Së fundi, investitorët strategjikë kanë vendosur flamujt edhe në këtë zonë.

Dy projekte: një në afërsi të Kalasë së Turrës e klasifikuar si Monument Natyre dhe një tjetër afër plazhit të Gjeneralit kanë marrë vulën për të nisur ndërtimin e komplekseve turistikë me vila dhe hotele. Në këto zona ndodhet Monumenti Natyror i njohur si “Foleza e Bardhorit dhe masivi bimor me dafina.

Sot dukuria e golemizimit po përfshin dhe bimësinë në gjirin e Lalëzit. Lalëzi po humbet jo vetëm pyjet me pisha por dhe dunat ranore të shpallura prej vitesh Monument Natyre.

Ndërtimet kanë marrë dritën jeshile edhe në Kepin e Rodonit, në bimësinë pyjore të Velipojës dhe Fushë-Arrëzit e së fundi dhe përgjatë lumit Vjosa, i cili është shpallur “Park Kombëtar”.

Depërtimi i dorës njerëzore në këto zona rrezikon prishjen e ekosistemeve dhe përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Por a do t’ia vlejë dhe a do të justifikojë sakrificën me zhvillim ekonomik? A është ky modeli i duhur?

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy