Deputeti i PD Kreshnik Çollaku tha në MCN Live se është pro primareve në PD, por theksoi se duhet ndryshuar modaliteti, ku të mos jenë votë sektare brenda partisë, por kandidatët të testohen në publik. Çollaku e vlerëson pozitivisht ndërhyrjen e Berishës dhe Kryesisë së PD në lidhje me kandidatët për deputetë.
“Kam qenë në favor të primareve, por jo të modelit si zhvillohen në PD. Këto s’janë primare, por votë brenda partisë, që është votë sektare brenda grupit. A e garanton kjo votën e qytetarëve? Unë mendoj që jo. PD duhet të shikojë modalitetin e primareve, s’mund të zhvillohen 1 muaj para zgjedhjeve, dhe jo të jenë zgjedhje brenda partish, pasi kandidatët duhen testuar në publik. Procese të tilla krijojnë pakënaqësi lokale. Unë u vendosa si kandidat në bazë të balancimit nga Kryesia e partisë. Filtri i publikut mungon në modelin tonë të primareve. Ndërhyrja e Berishës dhe Kryesisë ishte e domosdoshme për ta balancuar produktin elektoral. Disa struktura kanë pasur sjellje sektare karshi proceseve të caktuara, por ndërhyrja e Berishës dhe Kryesisë ka qenë balancuese”.
I pyetur mbi koalicionet ai thotë:
“Jam pro koalicioneve ku secila parti vjen me portofolin e vet të votave, sidomos kur bëhet fjalë për ideologji të ndryshme. Një socialist i mërzitur me Nanon dhe Ramën që mund të shkojë te Meta, e ka të vështirë t’ia japë votën Berishës”.
Ai shton se:
“Modeli i listave ca të mbyllura dhe të hapura, e redukton rivalitetin te çdo kandidat që të shkojë te votat e sigurta dhe nuk ka garë për elektorat gri. Në këtë kurth PD-ja s’duhet të bjerë, sepse ne na duhet të shtojmë votat. Ne duhet të kërkojmë votat e njerëzve gri, dhe ku Kod Zgjedhor këtë s’e lejon”.



