Pas dy ditëve heshtje, presidenti i Kosovës ka folur sot pas seancës së katërt në Gjykatën e Hagës, ku është akuzuar për krime lufte.
Hashim Thaçi thotë se seancat kanë qenë produktive, pavarësisht se dëshmia e tij po zgjat shumë.
Ndërkohë, sipas tij, në rast se gjykata është e pavarur dhe e paanshme, akuzat duhet të bien.
“Kisha mundësinë që të jap sqarime për të gjitha çështjet e aktivitetit tim gjatë luftës. Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione për përgjegjësit e mia gjatë luftës. Përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, konsideroj se kemi pasur seanca produktive. I mbetet prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë me panshmëri dëshminë time. Nëse e bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale e të paanshme mund të vijnë në përfundimin se unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara,”- ka thënë ai.



