
Sot, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, pritet të zhvillohet një protestë e madhe në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë dhe po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Protesta, e cila do të nisë në orën 17:00, organizohet nën moton “Liria ka emër-drejtësi për çlirimtarët” dhe pritet të jetë një ndër tubimet më të mëdha në përkrahje të figurave kyçe të luftës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Në këtë ngjarje pritet pjesëmarrja e qindra qytetarëve, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, si dhe figura të njohura politike nga të gjitha trojet shqiptare.
Ndër të ftuarit që do të mbajnë fjalë gjatë protestës janë ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga Kosova drejt Tiranës do të nisen rreth 60 autobusë me qytetarë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se për të lehtësuar pjesëmarrjen në protestë, Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë.
Nga politika shqiptare, Partia Socialiste ka konfirmuar mbështetjen për protestën. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, deklaroi se deputetët e mazhorancës pritet të marrin pjesë në tubim. Ndërkohë, Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e protestës, me përjashtim të deputetit Fatmir Mediu, i cili shprehu publikisht angazhimin e tij për të marrë pjesë në seancën parlamentare të së enjtes.
Kjo protestë në Tiranë pason dy tubime të mëdha që janë organizuar më parë në Prishtinë dhe në Hagë, ku mijëra qytetarë kërkuan drejtësi dhe lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar se ata janë çlirimtarë dhe jo kriminelë.



