Emisioni “Fol” u ndal në Durrës këtë të mërkurë, me banorët e prekur nga dëmet e tërmetit, të cilët janë ende pa strehë dhe ju është komunikuar që nga qendra e Durrësit do t’i çojnë në zonën e Kënetës, pasi nuk do të ketë më rindërtime në të njëjtin vend.
Njëri nga banorët deklaroi për mikrofonin e MCN Tv, se një ditë pas emisionit të parë “Fol” për këtë problematikë, bashkia ka bërë mbledhje dhe ka njoftuar banorët që të mos bëjnë denoncim dhe se janë marrë 7 vendime për t’i larguar në Kënetë.
Në vijim shton se si Vendimi i Këshillit të Ministrave dhe Këshilli Bashkiak kanë marrë vendime që të ndërtojnë në të njëjtin truall dhe tashmë duan të na kalojnë në Kënetë, ndërkohë që kryebashkiakja nuk pranon asnjë lloj bisede apo takimi me ta.
Nuk kanë shkuar akoma dhe nuk kanë ndarë akoma hyrje në Kënetë, por po i përgatisin për t’i shpërndarë para zgjedhjeve.
Protesta jonë është se ne e kemi blerë pronën këtu jo në Kënetë.
Një tjetër banor tha se është me qira 250 mijë lekë në muaj dhe një pjesë ja mbulon shteti, ndërsa të tjerat i shton.
Bashkia nuk na afron fare. Me të dëgjuar e kemi që do na dërgojnë në Kënetë. Pallati ka afro 4 vite që thonë do prishet, akoma asgjë.
Unë kam blerë një hyrje 1200 euro metri katror, pse duhet të shkojë diku ku bën 200 euro metri katrorë. Domethënë në fshat. Unë për vete nuk kam marrë asnjë lloj lajmërimi.
Duan të bëjnë nder me vendin e pallatit tonë dhe duan të na çojnë atje ku nuk ka vlerë. E kam marrë me kredi.
Unë vazhdoj paguaj, shtëpi nuk kam dhe do më çojnë te Këneta. 230 euro për 20 vite.
Një zonjë e moshuar refuzon të shkojë në zonën e Kënetës dhe thotë se është vajzë Durrësi.
Unë shtëpinë e kam blerë, tokën e kam blerë, atje s’ke të drejtë prone, ku do jetoj, ku do shkoj unë.
Pas ca kohe na erdhi vendimi se ky pallat do riparohet na dhanë 2 milionë lekë, pas ca kohe na erdhi dhe vendimi tjetër se ky pallat do shembet dhe lekët do kthehen mbrapsht.
Po unë ato lekë i kam investuar...
Në të njëjtën linjë është edhe një banor i cili shprehet se e kanë blerë shtëpinë me 650 euro metri dhe se me gjithë plaçkat e shtëpisë, shkon dëmi 100 mijë euro.
Pse shkelin vendimin e Kryeministrit i cili tha se ku ka pallate që ka viktima nuk do rindërtohen. Ne nuk kemi asnjë viktimë, ku është arsyeja që nuk do ndërtohet aty.
Del bashkia para Kryeministrisë dhe nuk dimë ku të ankohemi për këta zagarë dhe plehra. Ku duhet të ankohemi, nuk na pret asnjë. E sjellin popullin rreth e rrotull, tamam si qen.
Një mijë herë i kemi shkuar prokurorit dhe s’na pret në takim. Pallati 11 katësh pa asnjë pilot. Është devijuar 80 cm.
Askush nuk vepron se këtu ekziston më shumë leku se Prokuroria. Prokuroria nuk ekziston fare.
Atje ku jemi ne është qendra e Durrësit, atje është lufta se kush merr një copë tokë dhe jo kush e jep.
Banorët thonë se është hapur procesi gjyqësor në Gjykatën Administrative, në Gjykatën Civile dhe kudo por janë ende pa zgjidhje.



