Një problem në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik ka shkaktuar mjaft shqetësime në radhët e biznesit. Mjafton një klikim i thjeshtë në faqen zyrtare www.app.gov.al, dhe saktësisht tek kreu ku është nënndarja “e-prokurim” për të kuptuar se është bllokuar Seksioni i Operatorit Ekonomik, siç ilustrohet edhe në foto.
Tabela që del shkruan “lidhja dështoi”. Aty ndodhen të dhënat e çdo biznesi të interesuar dhe tashmë kjo situatë duket se po përbën një shqetësim serioz.
TemA TV shkoi mesditën e kësaj të hënë pranë APP-së, që ndodhet brenda Kryeminsitrisë dhe një asistente në Agjencinë e Prokurimit Publik tha jashtë kamerave se nuk ka asnjë problem.
Ajo nuk pranoi të identifikohej, por shtoi se prej 2 javësh APP ka publikuar një video sensibilizuese në faqen e saj, ku lajmëronte për një ndryshim përsa i përket mënyrës së kërkimit. Sipas saj, duhet kërkuar vetëm me “google come dhe Mozilla”. Megjithatë, pas kërkimit me të dyja versionet, asnjëra prej tyre nuk e ofron Seksionin e Operatorit Ekonomik.



