
Në Hong Kong një burrë ka rezultuar pozitiv me virusin vdekjeprurës, herpesin B.
37-vjeçari rrezikon jetën për shkak të këtij agjenti infektiv, i njohur edhe si “virusi i majmunit”.
Ai dyshohet se e ka marrë virusin pasi ka vizituar parkun Kam Shan, ku lejohet që të afrohesh me kafshët. 37-vjeçari raportoi se ishte gërvishtur nga një majmun.
Pacienti kishte temperaturë shumë të lartë dhe më pas humbi vetëdijen. Zakonisht, simptomat e këtij virusi shfaqen 3-7 ditë pas infektimit dhe të kujtojnë shumë ato të Covid-19, lodhje, ethe dhe dhimbje muskulore.
“Virusi i majmunit”, i njohur gjithashtu si herpes B, është një patogjen që është pjesë e familjes Herpesviridae.
Ai u identifikua për herë të parë në vitin 1932 dhe gjendet kryesisht te makakët, por për majmunët është një sëmundje asimptomatike, ndërsa pasi të transmetohet te njerëzit mund të shkaktojë dëme serioze në trup.
Herpesi B vendoset në trupin e njeriut falë kontaktit me lëngjet e infektuara nga majmunët ose nga gërvishtjet dhe kafshimet e këtyre ekzemplarëve.
Rasti i 37-vjeçarit të infektuar nuk është i vetmi që dimë. Në vitin 2021 një veteriner vdiq nga herpesi B në Pekin, pasi shfaqi simptoma të tilla si nauze dhe të vjella.
Sipas mjekëve, infeksioni është jashtëzakonisht i rrallë, vetëm rreth pesëdhjetë raste janë numëruar nga viti 1932 deri më sot, por 21 prej tyre kanë vdekur.
Nëse njerëzit që jetojnë në zonat rurale ose pranë parqeve që janë shtëpia e majmunëve nuk mbajnë distancë nga kafshët për të shmangur kafshimet dhe gërvishtjet, virusi mund të përhapet shpejt.



