Kryepeshkopata Ortodokse Greke e Amerikës njoftoi se Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joan i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizita realizohet me ftesë të Hirësisë së Tij, Kryepeshkopit Elpidoforos, dhe ka në qendër pjesëmarrjen e Kryepeshkopit Joan si folës kryesor në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Instituti Ekumenik Huffington në Shkollën e Teologjisë së Kryqit të Shenjtë (Holy Cross Greek Orthodox School of Theology), në bashkëpunim me Institutin e Misioneve të HCHC.
Konferenca, e titulluar “Anastasi: Kryepeshkop, Teolog, Misionar”, do të mbahet nga 2 deri më 4 mars 2026 dhe i kushtohet përvjetorit të parë të ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas, figurë kyçe në rindërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas periudhës së regjimit ateist.
Në një deklaratë për këtë ngjarje, Kryepeshkopi Elpidoforos theksoi se është një nder i veçantë të mirëpritet Kryepeshkopi Joan, i cili do të ndajë reflektime mbi trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas, “i cili e ringjalli fjalë për fjalë Kishën Ortodokse në Shqipëri, pas shkatërrimit të saj nga një regjim ateist”. Sipas tij, kjo vizitë përbën gjithashtu një mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kishës Ortodokse në Shtetet e Bashkuara dhe asaj në Shqipëri.



