
Eksperti i IT, Said Duleviç, thotë se abonentët e telefonisë celulare në Shqipëri nuk marrin shërbimet për të cilat paguajnë. Duleviç tha se krahas problemeve të vazhdueshme që ka pasur javët e fundit, dy kompanitë celulare në Shqipëri nuk ofrojnë as mbulim të plotë me shërbim.
Pati një bashkim të kompanive. U bashkua Albtelecom me One. Nga pjesa softuerike është një punë shumë e madhe. Bashkohen serverat dhe bëhet sistem i ri. Por problemet pasi kanë kaluar kaq muaj më duket e paarsyeshme. Pati probleme, pa asnjë njoftim. Duhet të ndërgjegjësohemi që kur na cenohet puna dhe biznesi që kemi ngritur duhet të denoncojmë.
Problem tjetër është mbulimi. Ndodh që në disa zona nuk kap 4G. Po flasim për dy kompani ndërkombëtare Vodafone dhe One. E kanë mundësinë ta mbulojnë të gjithë territorin me shërbim.
Duleviç tha se abonentët në Shqipëri paguajnë shumë më shtrenjtë të njëjtat shërbime që marrin abonentët në vendet e rajonit. Ai theksoi se vetëm reagimi dhe organizimi i peticioneve apo padive kolektive mund të sjellë rezultat.
Një paketë me një giga internet kushton 10 mijë lekë të vjetra. Në Kosovë, me vetëm 9 euro merr 30 giga internet dhe minuta pa limit. Ne po paguajmë shumë për një shërbim që vlen pak. Nëse një kompani eksperimenton duke ngritur çmimet dhe nga ana tjetër nuk sheh reagim, atëherë e provon dhe kompania tjetër. Kur nuk ka reagim, atëherë asgjë nuk ndryshon. Ne kemi mundësinë e peticionit. Nuk është njësoj sikur kur ankohen dy veta, sikur kur ankohen 1 mijë veta.



