
Administrata Trump nxori mbrëmjen e së hënës një listë të shumëpritur të 114 politikanëve rusë dhe 96 oligarkëve, të cilët kanë “lulëzuar” nën presidencën e Putinit, duke plotësuar kështu kërkesën e Kongresit që SHBA të ndëshkojë Moskën për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Lista politike përfshin të gjithë stafin presidencial, ndërsa lista e oligarkëve është një kopje identike e listës së miliarderëve rusë në revistën “Forbes”. Diskutimi i listës që është cilësuar si “lista Putin” shkaktoi shumë zemërim në Moskë.
Megjithatë, paralel me detajet e listës, administrata Trump njoftoi se nuk ka ndërmend të ndëshkojë askënd tani për tani. Disa ligjvënës amerikanë e akuzuan presidentin Trump se po i lë hapësirë Rusisë, duke ngritur kështu pikëpyetjen nëse presidenti është në gjendje të dalë kundër Moskës.
Ideja e publikimit të dokumentit të paklasifikuarprej 7 faqesh, siç ka parashikuar Kongresi, është të bëjë publikë emrat e atyre që besohet se përfitojnë nga bashkëpunimi me Putinin, ndërsa Shtetet e Bashkuara po punojnë për të izoluar qeverinë diplomatikisht dhe ekonomikisht.
Kryeministri Dmitri Medvedev është midis 114 figurave të larta politike në qeverinë ruse që janë pjesë e listës, së bashku me 42 ndihmës të Putinit, ministrat e qeverisë si ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, dhe zyrtarë të lartë në agjencitë e spiunazhit të Rusisë, FSB dhe GRU. Drejtuesit ekzekutivë të kompanive të mëdha shtetërore, përfshirë gjigantin e energjisë Rosneft dhe Sberbank, janë gjithashtu në listë.
Po ashtu, 96 rusë të pasur që konsiderohen "oligarkë" nga Departamenti i Thesarit, ku thuhet se secili besohet të ketë pasuri rreth një miliard dollarë ose më shumë, janë pjesë e listës. Mes tyre janë manjatë si Roman Abramovich dhe Mikhail Prokhorov, të cilët e sfiduan Putinin në zgjedhjet e vitit 2012. Po ashtu, në listë është edhe biznesmeni i fuqishëm i aluminit Oleg Deripaska, ndajë të cilit në Rusi është hapur një hetim mbi lidhjet e tij me ish-drejtuesin e fushatës së Trump-it, Paul Manafort.



