Bedri Elezi, ekspert sigurie, thotë se situata në veri të Kosovës nxitet nga Serbia përmes strukturave të saj kriminale.
Në një intervistë me MCN TV, Elezi tha se institucionet ndërkombëtare kanë bërë pak për të mbajtur situatën nën kontroll.
Shërbimet sekrete të Serbisë bëjnë aktivitete që mund të cenojnë sigurinë e republikës së Kosovës. Beogradi po përdor grupe kriminale në veri. Ne pajtohemi se pas këtyre sulmeve qëndron Beogradi zyrtar. Por nuk kemi pasur asnjë provë që do të inkriminonte presidentin e Serbisë. Veprimet në veri janë të koordinuara dhe të urdhëruara nga strukturat e Serbisë.
Ka tregues se situata në veri është e brishtë.
Kemi performancë të dobët të institucioneve ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. Ka jofunksionalitet, por edhe veprime politike që ndoshta e kanë ndihmuar përshkallëzimin e situatës së sigurisë.
Sipas tij, deklaratat që vijnë nga vetë pala serbe janë mirëfilli kërcënime për sigurinë e Kosovës.
Beogradi ka pranuar se në Kosovë ka rreth 30 mijë agjentë të fshehtë. Pra kemi pranim publik të Serbisë për këtë fakt. Në këto kushte, ne kemi vetëm 10 mijë pjesëtarë të policisë së Kosovës. Kjo kërcënon haptas sigurinë e Kosovës. Nëse e marrim në konsideratë këtë deklaratë, mund të themi se vërtet kemi situatë të rëndë.



