Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, ka komentuar në MCN Live padinë e protestuesve në SPAK lidhur me librin “Albanian Files”, duke e konsideruar atë një veprim të nxitur nga emocionet dhe pa produktivitet juridik.
Ai theksoi se reagimi i qytetarëve është i kuptueshëm në një klimë të polarizuar sociale, por sipas tij, kjo nuk e justifikon ndërmarrjen e hapave ligjorë të pabazuar.
Sot një nga lajmet e SPAK ishte pafajësia e Majlinda Bufit, që përkon fiks me kallëzimin e protestuesve në SPAK për librin ‘Albanian Files’. E kuptoj mërinë e qytetarëve kur shohin si opsion vende të Shqipërisë jo si komunitete, por si një gardh ndarës mes klasës së mesme dhe asaj të varfër, dhe një skaj të pasurve… e kuptoj atë reagim për të çuar edhe këtë libër të trashë dhe padyshim që është acaruese, por nuk sjell asnjë frut.
Sipas tij, kallëzime të tilla nuk qëndrojnë në një proces gjyqësor serioz pa prova të qarta.
Të vijosh me akuza si kjo e SPAK-ut kërkon analiza, sepse duhet të vërtetohen veprat penale me prova… të shkosh dhe të provosh në seancë gjyqësore me prokurorin më të mirë një çështje të tillë është e ndërlikuar.
Në analizën e tij më të gjerë politike, Meksi u ndal edhe te mënyra se si protestuesit e lexojnë pushtetin dhe përgjegjësinë politike në vend. Sipas tij, një pjesë e protestuesve e reduktojnë gjithë sistemin politik tek figura e kryeministrit.
Problemi i parë i protestuesve është që e lidhin gjithçka me Edi Ramën. Kushdo lidhet me Edi Ramën; nuk mendojnë mekanizma të tjerë shoqërorë, por mendojnë se gjithçka udhëzohet prej tij.
Ai shtoi se kjo qasje e thjeshtëzuar, sipas tij, e deformon debatin publik dhe e bën të vështirë ndërtimin e një rruge juridike apo politike të besueshme.
Të padisësh një libër është e pakuptimtë… të mendosh se aty gjenden paratë sot, ose se deputetët kanë qenë të gjithë në SKY ECC, e shoh shumë të vështirë si formulim padie dhe si hapa në vijim.
Meksi komentoi gjithashtu organizimin e protestave dhe perceptimin e pushtetit.
Ata ishin aty pa hile, spontanë, pa organizim… madje thuhej se protesta vrau frikën, por ishte krijuar ideja se PS është e fuqishme dhe Edi Rama i pandalshëm.
Në vijim, ai tha se edhe vetë pushteti politik është në një fazë reflektimi, por mbetet dominant në menaxhimin e situatës.
Gjykimi im është se në këtë moment mbrojtjen më të mirë nga këndvështrimi i pushtetit po e bën vetë Edi Rama… Rama është fitues në menaxhimin e zgjedhjeve dhe nuk del humbës përballë protestuesve.
Në fund, Meksi u ndal edhe te tensionet politike dhe akuzat e rënda që qarkullojnë në debat publik, duke i cilësuar ato si shpesh të pakonsoliduara me prova.
Kur flasim për afera të mëdha, nuk flasim vetëm për SPAK apo politikë të zakonshme, por për para të mëdha dhe struktura të dyshuara të fuqishme.



