Këtë të enjte u zhvillua seanca për 34-vjeçarin Rudolf Nikolli, i cili qëlloi më thikë pesë besimtarë në xhaminë “Dine Hoxha” tek rruga e Kavajës në kryeqytet.
Prokuroria ka kërkuar “arrest në burg” për autorin. Kërkesa e organit të akuzës është pranuar nga Gjykata për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore që ai paraqet.
Ndërkohë Drejtoria e Anti-terrorit ka referuar materialet në prokurori, duke e cilësuar akuzën si veprim me qëllime terrorist.
“Jam dakord me avokatin. Jam përndjekur nga besimtarët myslimane. Nëse i paraqitni personat këtu ua them në fytyrë. U bë një vit që me ndjekin edhe shteti e di këtë. Nuk doja ta bëja, nuk është normale, por besimtarët me kanë përndjekur. Mjekimet i kam pirë, po ka pas raste që si kam pirë. Ilaçet i kam pirë vetë, por herë pas here harroja. Ata më kanë përndjekur”, kështu ka deklaruar 34-vjeçari.
Ndërsa avokati i Rudolf Nikollit, i cili u la në burg ka bërë të ditur se klienti i tij ka probleme të shëndetit mendor. Ai ka bërë të ditur se masa e vendosur është e papërshtatshme. “Ka probleme të shëndetit mendor. Vendosja e masës është e papërshtatshme”, tha ai
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në 19 prill, kur Rudolf Nikolli hyri në xhami me thikë, dhe goditi disa besimtarë. Pas kësaj 34 vjeçari ka tentuar të largohet, por me ndërhyrjen e qytetarëve dhe policisë është arrestuar.
Ndërkohë të plagosur nga kjo ngjarje mbetën Donald Koçi, 35 vjeç, Saba Peposhi, 22 vjeç, Maringlen Konja, 24 vjeç, Kleon Jupaj, 26 vjeç dhe Amri Tolaj, 23 vjeç.



