Studiuesi dhe artisti i artit bashkëkohor, Oltsen Gripshi, ka sjellë për publikun ekspozitën “Lakuriq”, një projekt i konceptuar si një udhëtim filozofik dhe artistik mbi zanafillën e ekzistencës njerëzore.
I ftuar në emisionin MCN Informacion, ai rrëfeu se ideja e kësaj ekspozite ka lindur nga dëshira për të hulumtuar trupin e njeriut në dimensione të ndryshme kulturore, politike, sociale dhe antropologjike.
Sipas Gripshit, titulli “Lakuriq” është njëkohësisht joshës dhe intrigues për publikun, duke e vendosur konceptin në një kontekst humanist.
Ekspozita është intriguese sa i përket titullit, joshëse dhe ftuese për publikun. ‘Lakuriq’ e vendosim në periudhën e humanizmit dhe tenton të hulumtojë qenien njerëzore në disa këndvështrime: kulturor, politik, social, si dhe në atë që trupi njerëzor përcjell në raport me antropologjinë shqiptare.
Ekspozita përbëhet nga instalacione dhe vepra të ndryshme, të cilat, ndonëse duken të shkëputura, lidhen mes tyre nga një fill ngjizës.
Udhëtimi artistik nis me një instalacion që përfshin një test shtatzënie, vijon me simbolikën e kërthizës dhe në boshtin qendror paraqitet një copë mishi e vërtetë, si metaforë e fazës së zhvillimit të jetës.
Më tej, ekspozita përmbyllet me simbolikën e qefinit, duke përcjellë një mesazh universal mbi ciklin e jetës.
Ndonëse të gjitha veprat kanë një tekst shpjegues, kur nis rrugëtimin e mendimit sheh se si rrjedhin nga njëra tek tjetra. Veprat, edhe pse duken të shkëputura, kanë një fill ngjizës. Ekspozita nis me një instalacion dhe rrugëton mbi këto instalacione, pikërisht përmes lakuriqësisë si koncept. E gjithë krijimtaria ime formësohet në atë se çfarë është qenia njerëzore. Nëse herë të tjera e kam hulumtuar në aspektin antropologjik, këtë herë kam dashur ta përçoj mesazhin në atë që përfaqëson vërtet njerëzimi.
Përgatitja e ekspozitës “Lakuriq” ka zgjatur rreth dy vite, duke u materializuar në një projekt që synon jo vetëm të ekspozojë vepra në galeri, por mbi të gjitha të komunikojë mesazhe dhe të nxisë reflektim tek publiku.



