Në dy muajt e fundit, më shumë se 832 000 njerëz kanë ikur nga zonat e luftës që kontrolloheshin nga opozita siriane pas një valë të re sulmesh ajrore dhe operacionesh ushtarake nga regjimi sirian dhe aleatët e tyre rusë.
Ata i druhen faktit se nëse Asad do të rimarrë kontrollin e rajonit, ai do të riafirmojë regjimin barbar të masakrave dhe ekzekutimeve masive. Linja zyrtare e qeverisë siriane në nëntë vitet e fundit është se ata kanë luftuar me "terroristët", ndonëse sulmet kanë goditur kryesisht infrastrukturën civile, spitalet, klinikat dhe shkollat. Rajoni i Idlib kontrollohet për momentin nga organizata Hayat Tahrir Al Sham, një rimishërim i Al-Nusras, i lidhur me Al-Kaedën.
Një reportazh i CNN tregon ikjen e popullsisë nga rajoni. Kamioni transporton Samarën dhe gjashtë fëmijët e saj në një fshat afër qytetit të Atarib. "Duam t të largohemi, por na duhet të gjejmë një zgjidhje për transportin tonë sepse është e pamundur të ecësh në këmbë", thotë ajo.
Pak metra më poshtë, fëmijët e e një tjetër gruaje presin teksa nëna e tyre ngarkon dyshekët dhe batanijet në një kamion. Frika nga sulmet ajrore është e madhe.
Dy vjet më parë, ata u larguan nga shtëpia e tyre. Fëmijët shkuan në shkollë dhe bënë miq të rinj. Por tani ata duhet të nxitojnë drejt kamionit për t’u larguar sërish.
Me shpërbërjen e forcave të opozitës, popullsia e këtij rajoni ndihet e pasigurtë. Shumë prej tyre do të preferonin një protektorat turk që do t'u lejonte të ktheheshin në shtëpi. Nga ana e saj, Turqia ka rritur praninë ushtarake në këtë zonë, duke dërguar qindra automjete të armatosura dhe tanke për të ndaluar përparimin e forcave qeveritare.
Në dy javët e fundit, 13 ushtarë turq dhe një civil turk janë vrarë nga sulmet e qeverisë siriane, me Turqinë që përgjigjet duke bombarduar pozicionet siriane dhe duke paralajmëruar një hakmarrje edhe më të ashpër.
Sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara, afro 700 000 nga të zhvendosurit e fundit janë gra dhe fëmijë. Megjithë reagimin e fortë ndërkombëtar, CNN thotë se ka pak veprime që kanë për qëllim lehtësimin e njerëzve që jetojnë në provincën verilindore të Idlib dhe zonat përreth.



