
Analisti Plator Nesturi thotë se bashkia Rrogozhinë nuk ka ndonjë vlerë të madhe, është një bashki modeste, por ishte një lloj testimi se si kanë ecur gjërat. Lidhur me fitoren e kandidatit socialist Edison Memolla, përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha, deklaron se socialistëve nuk do tu përbënte ndonjë problem dhe humbja e Rrogozhinës, duke marrë parasysh se sa bashki kanë fituar në rang vendi. “Kur thellohet rezultati, tregon që vetë opozita është ende në rënie të lirë. U pa që kjo opozitë nuk është alternativë dhe kjo ka ndikuar në votë. Nga zgjedhjet e kaluara ka një shtim të numrit të votuesve. Dhe pritshmëria e opozitës që emigrantët që do vinin do të votonin PD, nuk ndodhi kështu. Kam përshtypjen se ndikon aspekti se kur vijnë, shohin ndryshime dhe nuk janë gjërat më si më parë. Qoftë dhe në dukje dhe në atë që paraqet Rrogozhina ku ata shkojnë, mendoj se kjo ndikon që votat të shkojnë në favor të mazhorancës. Beteja më tepër kishte vlerën e asaj që opozita ka dashur ta përdorë si një faktor, si argument nëse do fitonte se zgjedhjet janë manipuluar. Por kur rezultati thellon shumë më tepër diferencën, argumentet kanë rënë. Nuk ka të bëjë vetëm me makinerinë elektorale të Partisë Socialiste, por me besueshmërinë që ka vetë opozita. Edhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” duket se është shkërmoqur, është shpërbërë, pasi nuk u panë të dalin bashkë apo në mbështetje të kandidatit. Kemi kohë që i shikojmë që ka qëndrime pak të ndryshme, edhe mes Metës dhe Berishës. Ka interesa të ndryshme, gjykime të ndryshme dhe strategji të ndryshme”.



