
Të shumtë kanë qenë refugjatët ukrainas teksa largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të strehimit në vendet fqinje.
Tani kreu i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, ka thënë se fokusi duhet të jetë në ndihmën e refugjatëve në kufi, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Stokholm, komisioneri i lartë i UNHCR-së, Filippo Grandi tha se "tani është koha që të përpiqemi të ndihmojmë në kufi", në vend që të diskutojmë se si duhet të ndahen refugjatët midis vendeve.
Ai vuri në dukje se Moldavia, e cila nuk është anëtare e BE-së dhe ndan një kufi me Ukrainën, është veçanërisht e ndjeshme për shkak të fluksit të refugjatëve.
Të shtunën, ministri i jashtëm i Moldavisë tha se vendi ishte "afër pikës kulmore ".
Grandi shtoi se numri i refugjatëve që janë larguar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës ka arritur ndoshta midis 2.1 dhe 2.2 milionë.
Kujtojmë se ushtria ukrainase ka rënë dakord për një armëpushim 12-orësh me Rusinë të mërkurën për të lejuar civilët të arratisen përmes korridoreve humanitare.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk tha se kryeministri Denys Shmygal do të bisedojë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të mërkurën rreth rrugëve të propozuara për armëpushimin, i cili zgjat nga ora 9 e mëngjesit deri në 21:00 sipas kohës lokale.
Vereshchuk tha se armëpushimi do të lejonte civilët të arratiseshin përmes "korridoreve të gjelbërta" në zonat e mëposhtme:
Energodar-Zaporizhia
Sumy-Poltava
Mariupol-Zaporizhia
Volnovakha-Pokrovsk
Izium-Lozova
Vorzel, Bucha, Irpin, Borodyanka, Gostomel-Kiev
Vereshchuk theksoi dy rrugë në veçanti, evakuimin e civilëve nga qyteti port i Mariupol dhe qyteti lindor i Volnovakha, të cilat të dyja janë rrethuar nga forcat ruse për disa ditë.



