Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj në një konferencë për shtyp ka bërë bilancin e ekonomisë për vitin që lamë pas si dhe sfidat për 2022.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj, duke bërë krahasimet me vitin 2020 që lidhet me pandeminë dhe bllokimin, tha se ekonomia në 2021 erdhi në rritje, duke u rigjallëruar. Ajo nënvizoi disa sektorë që kanë pësuar rritje, përveç atij të bujqësisë. Ibrahimaj parashikon një rritje prej 4.1% për vitin 2022.
Rritja ekonomike për 2021 parashikohet të jetë 8.6%. Niveli i lartë i rritjes ekonomike ka ardhur si pasojë e treguesve të ndryshëm makroekonomikë, që shoqërojnë rritjen ekonomike. Si fillim, dua të flas për të ardhurat, që kanë pasur një vijueshmëri dhe ecuri shumë të kënaqshme. Për vitin 2021 mendojmë se niveli i të ardhurave do të jetë rreth 506 miliardë lekë, duke e çuar treguesin e ecurisë ndaj PBB në 28.6%. Synojmë që së shpejti të arrijmë në një nivel 30%. Në krahasim me vitin 2020, të ardhurat e këtij viti do të mbyllen me një rritje prej 21%. Nëse e krahasojmë me vitin 2019, të ardhurat janë rritur me 11%. Ky rezultat besojmë se ka ardhur i ndikuar nga ecuria e mirë e bizneseve, por i ndikuar edhe nga fiskalizimi, që është një proces që tashmë ka filluar, është në fazat e tij përfundimtare dhe ka filluar të japë efekte, sidomos në bizneset e mëdha.
Duke u ndalur te treguesit e punësimit, Ibrahimaj tha se papunësia në tre-mujorin e tretë arriti në nivelet e vitit 2019, duke treguar se ekonomia është rigjallëruar.
Më 2022 do të flasim për reforma ristrukturore, që do të çojnë më tej zhvillimin ekonomik. Dhe nga ana e pagave, kemi pasur ecuri të mirë, ku u rritën me 6.4% në tremujorin e tretë, në krahasim me vitin e mëparshëm. GDP për frymë pritet që më 2022 pritet të jetë në nivelin e 61 mijë lekë për frymë. I vetmi sektor që nuk ka pasur rritje të kënaqshme është ai i bujqësisë.
Ndër të tjera ministrja e Financave theksoi se në rritje kanë ardhur edhe investimet.
Ne mendojmë se kjo rritje dhe perspektiva që na pret për 2022, rritja ekonomike do të vazhdojë, por jo në nivelet e vitit 2021, por planifikojmë të arrijmë një rritje ekonomike me rreth 4.1%. E besojmë fort këtë, pasi kemi ndërmarrë disa nisma të politikës fiskale, që do të sjellin një rritje të qëndrueshme. Gjatë 2022 MEF do të ndjekë një politikë fiskale të kujdesshme, duke synuar reduktimin e borxhit publik, që është në nivele shumë të larta. Më 2021 ai do të mbyllet me një nivel rreth 81.2%, ndërsa më 2022 ne parashikojmë të shkojë në rreth 78%



