Analisti Ben Andoni foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë Milosh Vuçeviç pas protestave masive në Beograd. Andoni tha se dorëheqja mund të konsiderohet një sukses momental i protestës, por shton se ajo mund të lexohet edhe si lëvizje taktike. Andoni thekson se tashmë kanë filluar kanalet e bisedimeve të qeverisë me studentët.
“Sukses është herë që të themi, por është për t’i respektuar për vendosmërinë. Mendoj që është një nga lëvizjet nga të cilat mund të mësojnë shumë të gjitha vendet që janë në Ballkan. Studentët jo vetëm kanë trandur jetën politikën, por edhe jetën sociale. Dorëheqja e kryeministrit është një lëvizje taktike, sepse ai kohë më para e injoronte lëvizjen e studentëve. Lëvizjen e studentëve po e mbështesin fasha të ndryshme shoqërore në Serbi. E kanë mbështetur sindikatat, madje kanë gjetur hapësira në ligjin e tyre për t'u përfaqësuar me një grevë të përgjithshme. Besoj do ketë zhvillime të tjera, do kërkohen lëvizje të tjera përveç kryeministrit. Është një sukses i tyre i momentit, por në publik ka filluar një lloj frike, dhe ajo ndodh në një vend si Serbia, ku janë akoma kujtimet e luftës dhe individë që kanë pasur lidhje me luftën, personazhe që përdoren nga autoritetet serbe në momente të veçanta.
Tashmë kanë filluar kanalet e bisedimeve të qeverisë me studentët. Kjo dorëheqje është një lloj mbajtje përgjegjësie, por i njëjti personazh injoroi protestën dhe përgjegjësinë e qeverisë për incidentin në Novi Sad. Vërtet është veprim i mirë institucional, por moralisht i mungon pjesa e vazhdimësisë, pasi në këtë moment dorëheqja është e diktuar nga protestat. Opozita në Serbi është e papërgatitur për të ardhur në pushtet.
Opozita ka qenë e përjashtuar nga protestat. Është një grup i studentëve, që akoma s’po del publikisht, dhe vendimet ndërtohen dhe jepen menjëherë. Ata kanë qenë shumë kritik edhe ndaj opozitës. I vetmi problem i protestës është që s’po merr karakter politik. Prevalojnë kërkesat për vendosjen para përgjegjësisë të ministrit të Infrastrukturës dhe njerëzve që janë marrë me rindërtimin e stacionit në Novi Sad”.
Andoni tha që kjo i bën mirë Kosovës në bisedime, që ka mundësi të tregojë se përballë s’ka një shtet demokrat. Sipas tij problem i vërtet për Kosovën do jetë nëse Serbia do marrë mbështetje nga administrata e re Trump.



