Ashtu si çdo 21 janar, kryeministri Edi Rama ka mbledhur familjarët e viktimave të ngjarjes më të rëndë të viteve të fundit. Rama tha se 7 vjet pas vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm në bulevardin para Kryeministrisë, drejtësia është më afër. “21 janari vjen në një vigjilje që ka një sëkëlldi të posaçme. Ka ikur dhe një vit tjetër dhe drejtësia ka vonuar. Sapo takohem me familjarët, pesha e pritjes ia lë vendin një qetësie të kthjellët. Ju familjarë të 4 dëshmorëve, vini mes nesh me provën se nuk e humbni durimin, nuk e bartni tragjedinë që ju la pa njerëzit e dashur si një barrë që u lihet të tjerëve përmes urrejtjes e zhgënjimit. Qetësia e kthjellët lidhet me faktin se një botë e tërë ka nisur të shkatërrohet nga themelet. Themelet e një pallati drejtësie, ku rasti u kthye në një farsë, ku të vrarët u rivranë në gjykatë. Një botë që ka nisur të shkatërrohet, ku drejtësia më e lartë është shfaqur si më e ashpra padrejtësi”, tha ai. Kreu i qeverisë tha se pritjes së gjatë të familjarëve të dëshmorëve të 21 janarit po i vjen fundi. Kjo falë reformës në sistemin e drejtësisë, një hap që sipas Ramës, dy vjet më parë as nuk mund të imagjonohej. “Gjërat po ndryshojnë në drejtimin e duhur. Fundi është më afër seç ishte dy vjet më parë. Është shumë ngadalë për të ngushëlluar padurimin e njerëzve, por është shumë shpejt në raport me kohën për të ndërmarrë këtë aksion që askush para nesh nuk pati kurajën as ta imagjinonte. 2 vite më parë, kjo botë që ka nisur të shkatërrohet ishte territor offshore. Kjo tokë e zanun ka nisur të çlirohet”, tha ai.



